Shkup, 22 mars – Edhe pse çmimet e naftës po shënojnë rritje, shërbimi taksi në Shkup nuk do të pësojë shtrenjtim të ri për momentin. Grupi i transportuesve autotaksi qetëson qytetarët duke sqaruar se tarifat e vendosura para tre vjetësh janë ende në fuqi dhe mbulojnë shpenzimet aktuale. Megjithatë, shqetësim mbetet konkurrenca ilegale dhe mospërdorimi i taksimetrave fiskalë.
“Çmimin e ndryshuam para tre vjetësh, vendosëm tre tarifa në taksimetër. Tash për momentin po shfrytëzohet tarifa e tretë, kjo është si tarifë mbrojtëse në rast se çmimi I naftës arrin 75 denarë. Aktualisht, të gjithë shoferët e taksive ngasin me tarifën e tretë, 60 denarë nisja dhe 35 denarë për kilometër. Nuk do të ketë asnjë ndryshim sepse ky çmim, këto tre tarifa janë vendosur para tre vjet e gjysmë. Qytetarët mos të shqetësohen fare, lirshëm mund ta qarkullojnë me çmimin e vjetër”, deklaroi Sasho Rajçanovski, kryetar i grupit të transportuesve autotaksi, Shkup.
Megjithatë, përfaqësuesit e këtij grupi ankohen për taksistët ilegalë të cilët shfrytëzojnë këtë periudhë për kërkuar shuma paushalle të shërbimeve taksi.
“Çdo qytetari që nuk i lëshohet faturë fiskale nuk është i detyruar të paguajë për transportin me taksi. Ju lutemi, ju si qytetarë, si pasagjerë, na ndihmoni me këtë dhe gjithçka do të bjerë në vend. Kur dikush nuk ju lëshon faturë fiskale, ai është taksist ilegal, nuk do t’ju marrë atë që kushton, do t’ju marrë shumë më tepër, të paktën dyfishin”, shtoi Sasho Rajçanovski, kryetar i grupit të transportuesve autotaksi, Shkup.
Ndërkohë, qytetarët janë të ndarë kur bëhet fjalë për çmimin e shërbimit taksi. Për disa, çmimi aktual është i përballueshëm, ndërsa për të tjerë rëndon buxhetin familjar pavarësisht që është I pashmangshëm në raste të caktuara.
“Është shtrenjtë, varësish destinacionit dhe kilometrave. Pavarësisht që është shtrenjtë unë e përdor, aq sa duhet e paguaj”, tha një qytetar.
“Është me çmim normal”, u shpreh një qytetar tjetër.
Nga grupi i autotaksistëve konfirmojnë se çmimi aktual I shërbimev mund të përballohet deri në kufirin prej 110 apo 115 denarë për litër naftë. Deri atëherë qytetarët mund të udhëtojnë me tarifat e vjetra, por gjithmonë duke kërkuar faturën fiskale si garancinë e vetme kundër taksistëve ilegalë.
