Tiranë/Shkup, 27 Prill, Zhurnal.mk – Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) tha sot se do të thërras një dëgjim në kuvend me Ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, për të cilin kjo parti pretendon se i ka ofenduar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në një shkëmbim pororish përmes Whatsapp, shkruan Zhurnal.mk.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, tha se Hoxha duhet që të jap llogari për fyerjet e pretenduara.
“Ministri Ferit Hoxha do të thirret në Kuvend për të dhënë llogari mbi qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve përtej kufirit, që përkon te jetë i njëjtë me qëndrimin e Nikolla Pashiqin apo Vasa Çubrilloviç ndaj shqiptarëve,” ka shkruar përmes Facebook Bardhi.
Sipas pretendimeve të deputetit Belin Këlliçi, në një komunikim në grup ministri është shprehur: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”, në një reagim të ministrit Hoxha ndaj një artikulli të një mediumi në Maqedoni të Veriut për projektin Korridori 8.
Këlliçi të premtën (24 Prill) tha se teksti ofendues i është fshirë më pastaj nga ministri Hoxha.
Këlliçi ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook edhe copëza fotosh nga komunikimi i pretenduar, të cilat deri më tash nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur e të cilat zëdhënësi i ministrit Hoxha i ka mohuar dhe i ka cilësuar të “sajuara”.
Sot Hoxha është takuar në Tiranë me Kryetarin e Komunës së Çairit nga VLEN Izet Mexhit me ftesën e të parit, pikërisht për këtë çështje.
Ministri Hoxha refuzoi që të përgjigjet drejtëpërdrejtë në pyetjen e gazetarëve nëse ai vërtet ka përdorur fjalor ofendues ashtu siç pretendohet nga deputetët e PD-së.
“Më vjen keq t’ju them që keni mbetur te java e kaluar. Gjërat kanë evoluar. Unë kam bërë të gjitha sqarimet e mia me atë që është pretenduar, dhe më duhet të përdorë një shprehje: “U ngritë kjo tymnajë e u pamë”.
Unë jam i hapur për t’u takuar në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, çoftë kur biem dakord, çoftë edhe kur kemi gjëra për të biseduar edhe në çoftë se nuk biem dakor, sepse edhe në familje ka mosmarrëveshje…” tha Hoxha.
“..Ashtu siç e tha, edhe një familje, edhe vllezër mund të ketë keqkuptime , për atë edhe janë takimet e drejtëpërdrejta. Por sot në agjendën tonë kemi folur për se si të zhvillohet korridori 8-të, i cili është projekti kryesor i Maqedonisë së Veriut, mbi 1 miliardë e gjysëm Euro, që e lidhë Maqedoninë fillimisht me Shqipërinë por është korridor pan-evropian, korridor i NATO-s. Kemi folë për gjuhën shqipe, për decentralizimin, për frymën e Marrëveshjes së Ohrit, dhe e kam garantuar ministrin që asnjë milimetër nuk është degradu, ku në shumë sfera ka avandur çështje shqiptare në Maqedoni…,” tha Mexhiti.
Hoxha refuzoi edhe në një pyetje të dytë të gazetarëve të përgjigjet në pyetjen e njëjtë.
Menjëherë pas konferencës për shtyp, deputetët e PD e kanë interpretuar resufizmin e Hoxhës që të përgjigjet në mënyrë të drejtëpërdrejtë për ofendimin e pretenduar, si “pranim” të ofendimit, dhe i përsëritën thirrjet e tyre për dorëheqje të Hoxhës.
