Përplasjet mes partnerëve të koalicionit lënë peng seancën e Këshillit: VMRO–ZNAM thonë se gjithçka është në rregull

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kumanovë, 8 shtator Zhurnal.mk – Pas ndërprerjes së seancës së fundit të Këshillit Komunal, që ndodhi në një atmosferë mosmarrëveshjesh mes partnerëve të koalicionit, tashmë nga partitë dëgjohen deklarata se marrëdhëniet janë të mira dhe se nuk ekziston asnjë problem.

Megjithatë, fakti që vazhdimi i seancës së Këshillit ende nuk është realizuar ngre pikëpyetje nëse vërtet gjithçka është në rregull mes partnerëve të koalicionit.

Sipas informacioneve që qarkullojnë, përplasja mes VMRO-së dhe ZNAM-it lidhet me emërimin e drejtorit të Gjimnazit “Goce Dellçev”. Sipas marrëveshjes së koalicionit, posti duhej t’i takonte VMRO-së, ndërsa ZNAM ka emëruar kandidat nga radhët e veta.

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te partneri i koalicionit, pasi marrëveshja politike, sipas pretendimeve, nuk është respektuar.

Pra, marrëveshja ka qenë njëra, vendimi është marrë ndryshe, ndërsa në opinion vazhdojnë të dëgjohen deklarata se marrëdhëniet mes partnerëve janë stabile.

Në gjithë këtë situatë, mbetet e paqartë edhe roli i VLEN-it në koalicion. Sipas kritikave, kjo parti është lënë jashtë vendimmarrjes për çështjet më të rëndësishme, duke krijuar përshtypjen se është pjesë e koalicionit vetëm për të siguruar shumicën.

Për qytetarët, pyetja mbetet e hapur: A janë rregulluar vërtet marrëdhëniet mes VMRO-së dhe ZNAM-it, apo vetëm po tentohet të krijohet përshtypja se nuk ka përçarje?

Fakti që një seancë e Këshillit Komunal mbetet peng për shkak të mosmarrëveshjeve politike, megjithatë, lë hapësirë për dyshime se marrëdhëniet mes partnerëve nuk janë aq “OK” sa pretendohet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër