Rama thirrje të rinjve: Distancohuni nga dhuna, askush nuk do të mbetet pa u ekspozuar

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “rruga për të kërkuar të drejtat, rruga për të luftuar demokratikisht kundër kujtdo që ti ndjehesh se nuk të përfaqëson, është rruga paqësore e ballafaqimit demokratik të ideve dhe të forcave”.

Në një komunikim në platformat e tij sociale Rama tha se “idetë ballafaqohen çdo ditë, forcat ballafaqohen në zgjedhje. E në ndërkohë mes të dyjave qëndron edhe liria e paprekshme, e drejta e padiskutueshme e protestës paqësore”.

“Fakti është se, me ose pa vetëdije instinktivisht shumë studentë, shumë qytetarë që gjejnë arsye për të protestuar ndaj qeverisë dhe ndaj meje personalisht, nuk iu bashkuan asaj turme, e cila në kulmin e vet arriti të jetë në 1500 vetë një konglomerat ku padyshim, brenda vetes ka edhe studentë, të reja dhe të rinj idealistë, idealistë por krejtësisht të keqkuptuar të radikalizuar e të ekstremizuar me teoritë destruktive të ANTIFA-s dhe të një ideologjie antikapitaliste, e cila tek dhuna dhe tek terrori ka identifikuar mjetin për të marrë peng Europën, për të marrë peng vendet demokratike, për të marrë peng institucionet, për të marrë peng këtë rrugë të zhvillimit që kemi zgjedhur të gjithë së bashku”, nënvizoi Rama.

Rama iu drejtua të rinjve të distancohen nga dhuna dhe të shprehin bindjet e tyre përmes mjeteve demokratike.

Kryeministri Rama u shpreh se “atyre u them të distancohen nga dhuna. Idetë janë çështje zgjedhje dhe në një vend të lirë e demokratik gjithkush mund të ketë idetë e veta. Por dhuna nuk është ide. Dhuna është krim. Dhuna është armik i demokracisë, është armik i lirisë, është armik i qetësisë, është armik i sigurisë dhe nëse Shqipëria ka shumë gjëra për të bërë ende, Shqipëria ka një domosdoshmëri absolute për të garantuar në të përditshmen e vetë sigurinë, sigurinë e pacënueshme të rendit dhe të lirisë dhe të qetësisë së çdo individi, të kujtdoqoftë që qarkullon i lirë në rrugët e vendit dhe jo më të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të vetë”.

Rama paralajmëroi se në vijim do të bëhen publike informacione të tjera.

“Ka një orë për të folur për të gjitha. Ora për të folur sot ishte kjo. Nesër do t’ju ekspozojmë të tjera gjëra, për të ndarë me të gjithë një bindje të rrënjosur tek informacioni, të rrënjosur tek funksionimi i institucioneve, bindjen se askush nuk do të mbetet pa u ekspozuar”, tha Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër