Rregulla më të rrepta dhe gjoba më të larta për përdoruesit e trotinetëve

Nga Xh M
2,021 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 qershor Zhurnal.mk – Ministria e Punëve të Brendshme po përgatit ndryshime ligjore me të cilat do të rregullohet përdorimi i trotinetëve elektrikë, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion, njoftoi ministri Pançe Toshkovski.

Gjatë prezantimit të projektit kombëtar “Ndërprerja e ciklit të dhunës – parandalimi sistematik i dhunës familjare dhe asaj mes bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor”, ai theksoi se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do të dorëzojë propozim-ndryshime në Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit në Rrugë, të përgatitura mbi bazën e rekomandimeve të ekipeve të ekspertëve dhe shërbimeve profesionale të MPB-së.

“Do të shkojmë drejt ashpërsimit të politikës ndëshkuese dhe të rregullativës në pjesën e drejtimit të trotinetëve elektrikë, veçanërisht te më të rinjtë”, theksoi Toshkovski.

Sipas tij, analizat tregojnë se numri më i madh i aksidenteve me trotinetë ndodh te popullata e re, veçanërisht te personat deri në moshën 17 dhe 18 vjeç. Ai theksoi se përdorimi i paligjshëm, ngasja në grupe dhe pa pajisje mbrojtëse çon në pasoja serioze. “Drejtimi i paligjshëm, ngasja nga dy ose tre persona në një trotinet, pa helmeta dhe pa respektuar rregullat, sjell pasoja serioze”, nënvizoi ministri.

Toshkovski shtoi se një pjesë e ndryshimeve do të përfshijë edhe rritjen e kufirit të moshës për përdorimin e trotinetëve elektrikë, me qëllim mbrojtjen më të madhe të pjesëmarrësve më të rinj në komunikacion.

Sa i përket problemeve me kalimin e paligjshëm te Bit Pazari, ministri informoi se kjo çështje tashmë është hapur në koordinimet ndërmjet MPB-së dhe Qytetit të Shkupit dhe se priten masa konkrete në periudhën e ardhshme.

“Ekzistojnë koordinime të rregullta dhe kjo temë tashmë është shqyrtuar. Në të ardhmen prisni veprime konkrete për përmirësimin e sigurisë”, deklaroi Toshkovski.

Ai theksoi se, përveç masave institucionale, kyçe mbetet edhe përgjegjësia personale e qytetarëve në respektimin e rregullave të komunikacionit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër