Salmonela shkaktoi helmimin masiv me ushqim te punonjësit e “Mikrosam” në Prilep

Nga Xh M
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shtip, 8 korrik Zhurnal.mk – Bakteria salmonela është shkaktari i helmimit masiv me ushqim të punonjësve të kompanisë së Prilepit “Mikrosam”, sipas analizave epidemiologjike të Qendrës për Shëndet Publik në Prilep.

Problemet shëndetësore te punonjësit janë shfaqur pasi ata kanë konsumuar një vakt të furnizuar nga një kompani kateringu me të cilën bashkëpunonin më 29 qershor. Në atë ditë, punonjësve u janë shërbyer makarona me vezë dhe gjizë.

Nga gjithsej 58 punonjësit që kanë konsumuar këtë ushqim, te 44 persona janë shfaqur simptoma të helmimit. Gjashtë prej tyre janë shtruar në Spitalin e Përgjithshëm të Prilepit, ndërsa të tjerët kanë kaluar me pasqyrë klinike më të lehtë ose mesatarisht të rëndë.

Dihet se ky lloj helmimi bakterial zakonisht lidhet me konsumimin e ushqimeve të pagatuara mirë ose të përpunuara në mënyrë jo të mjaftueshme termikisht me origjinë shtazore, si mishi, vezët, qumështi dhe produktet e tyre.

“Fillimi i menjëhershëm, arritja e shpejtë e numrit maksimal të të sëmurëve dhe më pas rënia e menjëhershme e numrit tregojnë se bëhet fjalë për një ekspozim të vetëm ndaj ushqimit të kontaminuar. Nga 23 mostrat e marra nga personat e sëmurë, te 11 persona tashmë është konfirmuar prania e bakteries salmonela. Edhe pse ende priten konfirmimet përfundimtare, pavarësisht rezultateve, ushqimi mbetet dyshimi kryesor për shfaqjen e helmimit”, njoftuan nga Qendra për Shëndet Publik në Prilep.

Menjëherë janë marrë mostra edhe nga ushqimi i përgatitur. Rezultatet e analizave në laboratorin mikrobiologjik të Institutit për Shëndet Publik në Shkup duhet të tregojnë nëse ushqimi ka përmbajtur drejtpërdrejt bakterien.

Pas raportimit të rastit, është kryer një kontroll i jashtëzakonshëm inspektues në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.

Ndërkohë, kuzhina e kompanisë së kateringut dhe mensa e kompanisë “Mikrosam” mbeten të mbyllura dhe jashtë funksionit derisa Qendra për Shëndet Publik të dorëzojë analizat përfundimtare laboratorike.

Pas përfundimit të raporteve, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor do të ndërmarrë masat përkatëse ligjore dhe kundërvajtëse ndaj subjekteve përgjegjëse.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër