Tetovë, 96 shtator Zhurnal.mk – Tetova, ka mirëpritur dhjetëra çiklistë nga vendet e rajonit, por edhe nga Zvicra, të cilët sot do të sfidojnë shtigjet e Malit Sharr. Gara bashkon çiklistë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Bullgaria dhe Zvicra, në një ngjarje që synon të promovojë sportin, natyrën dhe potencialin turistik të Tetovës dhe Malit Sharr. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke folur për rëndësinë e këtij organizimi, theksoi se vizioni për Sharrin duhet të shkojë përtej zhvillimit urban, duke e kthyer Tetovën në një destinacion për aktivitete sportive, kulturore dhe turistike gjatë gjithë vitit.
“Sot Tetova është në një ngjarje të veçantë sportive. Kemi kënaqësinë që në qytetin tonë të zhvillohet Sharr Cup, një aktivitet që bashkon sportin, natyrën dhe promovimin e potencialit të jashtëzakonshëm që ka Tetova dhe Mali Sharr. Sot, rreth 50 çiklistë do të jenë pjesë e kësaj gare nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Zvicra dhe Bullgaria. Për ne kjo është shumë e rëndësishme, pasi Tetova për ne nuk duhet të jetë vetëm një qytet i zhvillimit urban, por edhe një destinacion ku zhvillohen aktivitete sportive, kulturore dhe turistike gjatë gjithë vitit.”, u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Përmes organizimeve të tilla, Mali Sharr po dëshmon se ka potencial të madh për zhvillimin e sportit dhe turizmit në rajon. Por, për ta shfrytëzuar këtë potencial, institucionet lokale dhe qendrore duhet të investojnë dhe ta promovojnë më shumë Sharrin, në mënyrë që ngjarje të tilla sportive të zhvillohen më shpesh dhe gjatë gjithë vitit. Sharr Cup është një tjetër dëshmi se Tetova dhe Mali Sharr mund të jenë një destinacion i rëndësishëm për çiklizmin, sportin dhe turizmin, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë dhe sportistë nga vendi dhe jashtë tij.
