Shasivari: Bashkëpunimi rajonal, i domosdoshëm për luftën ndaj krimit të organizuar

Nga I.A
807 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, deklaroi në Konferencën Rajonale “Krimi i Organizuar në Burgje – Forcimi i Integritetit, Kapaciteteve të Inteligjencës dhe Bashkëpunimit në Evropën Juglindore” se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në institucionet penitenciare përbën një prej prioriteteve të reformës së sistemit të burgjeve.

Sipas tij, grupet kriminale veprojnë përtej kufijve, shfrytëzojnë dobësitë institucionale dhe i shtrijnë aktivitetet e tyre në disa vende. Për këtë arsye, ai vlerësoi se përballja me këtë problem kërkon një qasje të përbashkët rajonale.

Shasivari nënvizoi nevojën për shkëmbim më të shpejtë dhe më efikas të të dhënave të inteligjencës, bashkërendim më të madh mes institucioneve, vlerësime të përbashkëta për rreziqet e sigurisë dhe korrupsionit, si dhe forcim të përbashkët të kapaciteteve në sistemet penitenciare.

Gjatë periudhës së fundit, për forcimin e sistemit janë ndërmarrë disa hapa konkretë. Në kuadër të tyre, janë punësuar 100 zyrtarë të rinj, ka nisur trajnimi i specializuar kundër korrupsionit dhe janë ngritur njësi të inteligjencës së burgjeve në Idrizovë, Shtip, Prilep dhe Burgun e Shkupit.

Ndërkohë, po punohet edhe për rritjen e profesionalizmit në drejtimin e sistemit të burgjeve. Për këtë qëllim po përgatiten ndryshime ligjore, të cilat do t’u mundësonin profesionistëve me përvojë nga sistemi të emëroheshin në poste drejtuese në policinë e burgjeve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër