Ksamil, 30 gusht Zhurnal.mk – Një drejtues Jet Ski është gjobitur me 500 mijë lekë të rinj dhe i është bllokuar mjeti lundrues pasi ka shkelur perimetrin e sigurisë dhe është futur në zonën ku po laheshin pushuesit në Ksamil.
Ngjarja është konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare gjatë patrullimit në sektorin detar, në vendin e quajtur “Ishujt e Ksamilit”.
Sipas policisë, Jet Ski ka hyrë në zonën e përcaktuar për pushuesit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Njoftimi:
Ksamil/ Shkeli perimetrin e sigurisë me Jet Ski, duke rrezikuar pushuesit, bllokohet mjeti lundrues dhe drejtuesi ndëshkohet me 500 000 lekë gjobë
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, monitorim i pandërprerë për garantimin e sigurisë në hapësirën detare.
Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në vendin e quajtur “Ishujt e Ksamilit”, shërbimet policore konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili kishte shkelur perimetrin e sigurisë dhe ishte futur në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Menjëherë, shërbimet ndërhynë për ndalimin e mjetit lundrues dhe, në përfundim të veprimeve administrative, e bllokuan atë.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi P. A., u ndëshkua me masë administrative prej 500 000 lekësh të rinj.
Kontrollet dhe patrullimet vijojnë të pandërprera përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Policia e Shtetit apelon sërish ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit.
