Shkup, 30 mars, Zhurnal.mk – Refuzimi i përdorimit të gjuhës shqipe nga pushtetarët maqedonas në provimin e jurisprudencës po bëhet një shkëndijë e re e tensioneve të reja dhe në rritje ndër-etnike në vend.
Studentët shqiptarë së fundi me mbishkrimet e vendosura në Shkup e Tetovë porosisin se revolta e tyre do të zbres edhe në rrugë deri sa kërkesa e tyre të plotësohet.
Studentët shqiptarë të vendit i kanë ndezur motorët dhe kësaj jave e nisën revoltën e tyre me një porosi të thjeshtë por të fuqishme: “Shqip kemi mësuar provimin, shqip do japim.”
Ky aksion simbolik, i shoqëruar me pankarta të vendosura në hapësira publike, nuk është thjesht një protestë studentore, por është një thirrje për barazi, dinjitet dhe respektim të të drejtave arsimore në gjuhës amtare.
Dhe, ky është fillimi. Vazhdimi dihet: protesta dhe studentët në rrugë. Ajo që dihet deri në këto momente është që organizatorët kanë marrë mbështetje të fuqishme dhe thonë se janë të vendosur se pa realizimin e kësaj kërkese nuk do të ndalen më, shkruan Zhurnal.mk
Një kërkesë legjitime që duhej plotësuar fare pa e kërkuar
Studentët e Juridikut ql kanë studiuar në gjuhën shqipe, e kanë përvetësuar terminologjinë juridike në shqip, dhe tani kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në të njëjtën gjuhë. Kjo nuk është një kërkesë e tepërt, por një e drejtë elementare dhe shumë bazike. Arsimi në gjuhën amtare është një shtyllë e barazisë në shoqëri, dhe mohimi i saj nënkupton mohim të dinjitetit dhe të identitetit kulturor e etnik.
Tetova e cila njihet historikisht si qendër e frymëzimit dhe veprimtarisë atdhetare, sot po flet me një zë të ri, zërin e studentëve. Parullat e vendosura në qytet nuk janë vetëm shkrime në mur, por porosi që zgjojnë ndërgjegjen qytetare. Ato po përhapin një energji të re, duke e kthyer çështjen e gjuhës shqipe në arsim në një debat publik që nuk mund të injorohet.
“Shqip kemi mësuar, provimi shqip do jepet”, nuk është vetëm një kërkesë për një provim. Është një porosi e kërkesë që prek thelbin e barazisë dhe të drejtës për arsimim të plotë.
Ky slogan është shndërruar në një simbol të rezistencës paqësore, duke treguar se studentët nuk janë thjeshtë konsumues të dijes, por aktorë aktivë në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Parullat me këtë sllogan fillimisht vërshuan Shkupin, e një ditë më vonë edhe Tetovën si dy kryeqendra të universiteteve. Organizatorët kanë paralajmëruar që nuk do të ndalen me kaq, por do të vazhdojnë me protesta masive deri në realizimin e plotë të kësaj kërkese.
Retrospektivë mbi kërkesën për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe
Kryeministri Hristijan Mickoski, edhe pse në paraqitjen e parë të tija publike pësi që shpërthyen përplasjet për provimin e jurisprudencës kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, dy ditë më vonë e ndryshoi qëndrimin dhe iu bashkëngjit atij të Ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, e tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë me një ligj të ri, për të cilin do siç tha ai do të duhej që mendimin ta japë edhe Komisioni i Venedikut.
Opozita shqiptare fillimisht e dorëzoi një propozim-ligj me të cilin kërkkohej që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se vetëm vetëm që të zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.
Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe një propozim-rezolutë, të cilin nga kampi shqiptarë në kuvend vetëm deputetët e VLEN-it ende nuk e kanë nënshkruar.
Në ndërkohë, që nga VLEN këtë kërkesë e kanë cilësuar me bazë por që për zgjidhjen e saj kanë premtuar sjelljen e një ligji të ri, dhe në të njëjtën kohë fajin e hedhin tek BDI si parti shqiptare që ka udhëhequr me drejtësinë në të kaluarën dhe ka qeverisur gjatë por nuk e ka zgjidhur këtë çështje.
Ajo që dihet juridikisht është se në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, e që është gjuha shqipe.
E deri sa qeveria dhe partitë politike në pushtet e opozitë e deputetët e tyre në kuvend ende flasin se si do të duhet, apo si planifikohet që kjo çështje që po merrë vëmendje të lartë në publik situata pritet që të ndezet edhe në rrugë.
Mbrishkrimet e studentëve janë shenja e parë se tensionet ndër-etnike po zbresin edhe në rrugë.
Studentët porosisin se nëse nuk plotësohet kjo kërkesë e tyre për gjuhën e tyre amtare, atëherë revolta e tyre do të jetë masovike./Zhurnal.mk
“Shqip kemi mësuar, shqip do testohemi”, studentët po vërshojnë Shkupin e Tetovën!
611
Artikulli i mëparshëm
