Lubljanë, 5 shkurt – Qeveria sllovene ka miratuar udhëzime për ndryshime ligjore me të cilat do të kufizohej përdorimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, raportoi agjencia sllovene STA.
Zëvendëskryeministri Matej Arçon deklaroi se iniciativa është përgatitur nga Ministria e Arsimit, ndërsa para miratimit të ndryshimeve ligjore do të duhet të japë mendimin edhe Ministria e Transformimit Digjital. Ai sqaroi se masat synojnë të parandalojnë ndikimet negative të rrjeteve sociale tek fëmijët dhe adoleshentët, duke u bazuar në shembullin e vendeve të tjera.
Qeveria paralajmëron rregullimin dhe kufizimin e përdorimit të rrjeteve si TikTok dhe Snapchat, ndërsa udhëzimet do të përpunohen më tej nga komuniteti profesional dhe do të përgatitet një kornizë përkatëse ligjore.
Këto kufizime janë pjesë e një trendi më të gjerë evropian dhe botëror, pasi Australia ka vendosur ndalim të qasjes në rrjetet sociale për personat nën moshën 16 vjeç, ndërsa hapa të ngjashëm janë paralajmëruar edhe nga Franca, Danimarka, Greqia, Spanja dhe Portugalia.
Parlamenti Evropian më herët ka kërkuar vendosjen e një kufiri moshor prej 16 vjeç, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar mundësinë e vendosjes së kufizimeve të tilla edhe në nivel të Bashkimit Evropian.

