Tiranë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Kryetarja e komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, duke folur mbi situatën e medieve në Shqipëri, solli në vëmendje disa prej faktorëve kryesorë që kanë bërë të mundur rënien e indeksit të lirisë së medias në Shqipëri.
“Ka një mungesë të madhe të transparencës nga varësia nga reklama shtetërore, lidhjet ndërmjet interesave ekonomikë dhe politikë, ndërkohë që treguesi i sigurisë shpreh shqetësime për sa i përket kërcënimeve serioze, sidomos nga krimi i organizuar dhe intimidimi verbal dhe politik”, shtoi ajo.
Tabaku theksoi se kjo, shoqëruar dhe me lidhjen e interesave ekonomike me pronësinë e medias, e bën të pamundur që media sot në Shqipëri të jetë e lirë.
“Raporti i prezantuar nga qeveria dhe nga kryeministri nuk tregon që qasja e më shumë zërave opozitarë sjell më shumë transparencë në media, por tregon vetëm faktin që sot ka një sërë mediash të cilët kohën televizive e shfrytëzojnë duke kritikuar dhe opozitën, por kjo nuk llogaritet në minutazh kohe si kohë televizive për opozitën”, theksoi ajo.
Sipas Tabakut, ka një lidhje shumë të rëndësishme ndërmjet lirisë së medias dhe demokracisë.
“Liria e medias nuk mbrohet nga gazetarët. Liria e medias nuk mbrohet as nga shoqëria civile. Liria e medias mbrohet sigurisht nga institucionet, mbrohet nga ato që heshtin, liria e medias mbrohet nga e gjithë shoqëria”, shtoi ajo.
Prandaj, sipas saj, “është shumë e rëndësishme që ne së pari të luftojmë dezinformimin që vjen nga qeveria”.
“Dezinformimi me protestën, dezinformimi me raportet paralele që kryeministri vendos të publikojë, dezinformimi me çdo lloj lajmi i cili sot kontrollohet nga qeveria. Duhet të sigurojmë një kuadër ligjor dhe unë në emër të opozitës atje kam ofruar mbështetjen maksimale për ndryshime të cilët lidhen me Kodin Penal që fatkeqësisht u refuzuan nga qeveria dhe u bënë të pjesshme”, shtoi Tabaku.
Po ashtu, sipas saj, duhet mbrojtje reale ligjore ndaj gazetarëve kundër padive abuzive.
