Takim Hoxha-Hriçova: Krijojmë mundësi dhe bashkëpunim për forcimin e mëtejshëm të partneritetit

Nga admin
350 e lexuar

Shkup, 2 shkurt – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi një takim pune me Ambasadoren e Republikës së Sllovakisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Iveta Hriçova, ku u theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, si dhe përkushtimi i përbashkët për avancimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, informojnë nga MMJPH.

Ministri Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore që Republika e Sllovakisë i jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi evropian përfaqëson një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy shteteve.

Veçanërisht u vlerësua roli i Republikës së Sllovakisë në nxitjen e debatit publik dhe institucional mbi perspektivën evropiane të vendit tonë, si dhe mbështetja për Konventën Kombëtare për Bashkimin Evropian, e iniciuar nga Ambasada e Sllovakisë në Shkup, si një mekanizëm i rëndësishëm për dialog gjithëpërfshirës dhe shkëmbim përvojash në procesin e anëtarësimit në BE.

Ministri Hoxha prezantoi prioritetet e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në kuadër të procesit të integrimit në BE, me fokus në shfrytëzimin efikas të fondeve IPA.

Bashkëbiseduesit u dakorduan se takimi përbën një bazë të mirë për identifikimin e mundësive konkrete për bashkëpunim të ardhshëm dhe për forcimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Sllovakisë. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër