Shkup, 7 shtator, Zhurnal.mk – Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot pritet të vazhdojë procesi gjyqësor për keqpërdorimet e pretenduara në SHA “Lotaria Shtetërore”, ku një nga të akuzuarit është edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi.
Në seancën e mëparshme, Gjykata e shtyu shqyrtimin kryesor me arsyetimin se të akuzuarve dhe avokatëve të tyre duhet t’u mundësohet kohë shtesë për shqyrtimin e materialeve të provave dhe për përgatitjen e mbrojtjes.
Gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jovevski atëherë theksoi se të akuzuarit duhet të kenë kohë të mjaftueshme për t’u njohur me provat e dorëzuara dhe për të propozuar provat e tyre për vazhdimin e procedurës.
Në këtë çështje, aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, të cilët kanë paralajmëruar paraqitjen e 231 provave materiale, ekspertizave dhe marrjen në pyetje të shtatë dëshmitarëve.
Sipas propozim-akuzës së Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, Artan Grubi dhe shtatë persona të tjerë akuzohen se gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke tejkaluar kompetencat zyrtare, i kanë shkaktuar dëm SHA “Lotaria Shtetërore” në vlerë prej mbi 507 milionë denarë. Të akuzuarit ngarkohen me veprën penale keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.
I akuzuari i parë, ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Perparim Bajrami, vazhdon të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, ndërsa për Grubin Prokuroria kërkon vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak.
