Shkup, 8 maj, Zhurnal.mk – Koalicioni shqiptar VLEN pritet që nesër, më 9 Maj – Ditën e Evropës, të ndërmarrë një nga hapat më të rëndësishëm politikë që nga krijimi i tij. Në Kongresin e Bashkimit, pesë subjektet politike që përbëjnë këtë bllok pritet të formalizojnë shkrirjen në një trup të vetëm politik, duke vulosur transformimin e VLEN-it nga koalicion zgjedhor në subjekt të unifikuar politik, përcjell Zhurnal.mk.
Përmes një mesazhi publik, nga VLEN theksohet se rrugëtimi deri te ky moment nuk ka qenë i lehtë dhe se që nga fillimi ka pasur skepticizëm, pritje për përçarje dhe përpjekje që ky bashkim të mos realizohej.
“Kur u krijua VLEN, jo të gjithë besuan se ky rrugëtim do të arrinte deri këtu. Kishte nga ata që pritën ndarje, lodhje dhe dështim. Kishte edhe të tjerë që punuan hapur që ky bashkim të mos ndodhte”, thuhet në mesazhin e publikuar.
Sipas tyre, vendimi për bashkim nuk është imponuar, por është rezultat i bindjes se shqiptarët fitojnë vetëm përmes unitetit politik dhe jo fragmentimit të skenës politike shqiptare në vend.
Nga VLEN vlerësojnë se ky bashkim ka “peshë historike” dhe përfaqëson premtimin që u është dhënë shqiptarëve për një përfaqësim më të organizuar dhe më të fuqishëm politik.
Në Kongresin e Bashkimit pritet të marrin pjesë rreth 850 delegatë, të cilët do ta votojnë dhe vulosin zyrtarisht bashkimin e plotë të subjekteve politike brenda VLEN-it.
“VLEN, nga një ide që shumëkush e vuri në dyshim, nesër bëhet fakt politik”, thuhet më tej në mesazh, i cili mbyllet me sloganin: “VLEN NJË”.
