Zgjerohet mbrojtja ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Në kuadër të forcimit të Programit Kombëtar të Vaksinimit dhe politikave të parandalimit, Shqipëria kalon nga vaksina HPV 4-valente në vaksinën HPV 9-valente, duke zgjeruar ndjeshëm mbrojtjen ndaj tipeve të virusit HPV që lidhen me zhvillimin e lezioneve prekanceroze, kancerit të qafës së mitrës dhe kancereve të tjera të shkaktuara prej tij.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë vizitës në Institutin e Shëndetit Publik, ku u prezantua kalimi në vaksinën HPV 9-valente, e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm në fuqizimin e parandalimit dhe mbrojtjen afatgjatë të shëndetit të fëmijëve.

Duke nënvizuar rëndësinë e vaksinimit në parandalimin e sëmundjeve të shkaktuara nga HPV, ministrja Spahiu u bëri thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre në moshën e rekomanduar.

“Këto vaksina janë të certifikuara dhe përdoren edhe në vendet e Bashkimit Europian. Janë të sigurta, ndaj u bëj thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre 13-vjeçarë, si një nga masat më të sigurta për parandalimin e kancereve të shkaktuara nga HPV”, apeloi ministrja Spahiu.

Që nga nisja e programit të vaksinimit kundër HPV-së në Shqipëri janë administruar gjithsej 60 180 doza të vaksinës HPV 4-valente. Kalimi në vaksinën 9-valente zgjeron spektrin e mbrojtjes, duke mbuluar më shumë tipe të HPV-së të lidhura me sëmundje prekanceroze dhe kancere.

Paralelisht, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë marrë masat për nisjen e vaksinimit kundër gripit sezonal. Për sezonin e ri janë siguruar 280 mijë doza vaksine, të cilat do të ofrohen falas për grupet prioritare në të gjithë vendin, me synim mbrojtjen e personave më të rrezikuar nga format e rënda dhe komplikacionet e gripit.

Vaksinimi dhe programet e parandalimit mbeten ndër instrumentet kryesore të politikave të shëndetit publik, me fokus uljen e barrës së sëmundjeve të parandalueshme, mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara dhe forcimin e kujdesit shëndetësor të orientuar drejt parandalimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër