Zv.kryeministri i parë, Bekim Sali: Bashkimi i VLEN-it dhe integrimi europian, dy shtylla të së njëjtës rrugë

Nga B.M
1,098 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 09 maj, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në fjalën e tij në Kongresin e parë të VLEN-it theksoi se bashkimi i këtij subjekti përçon një mesazh të qartë për unitet dhe orientim euroatlantik.

Duke rikujtuar protestat e para 10 viteve në Shkup “Për Dinjitet, Drejtësi dhe Demokraci”, Sali tha se sot, në Ditën e Evropës, ky bashkim dëshmon drejtimin politik dhe qytetërimor të VLEN-it.

“Për gjithçka mund të kemi alternativë, por integrimi europian është orientim pa alternativë. Ky është një udhëtim që ndërtohet me institucione kredibile dhe përgjegjësi të përditshme ndaj qytetarëve”, u shpreh Sali.

Ai theksoi se VLEN po ndërtohet si një strukturë serioze politike, me organizim në terren, forume rinore dhe të grave, si dhe me përfshirjen e profesionistëve, duke synuar të jetë pranë qytetarëve kudo.

Sali vuri theks të veçantë te të rinjtë dhe gratë, duke theksuar nevojën për krijimin e mundësive që ata të ndërtojnë të ardhmen në vend, si dhe rëndësinë e fuqizimit të komunave përmes decentralizimit.

Në fjalën e tij, ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, duke përmendur orientimin strategjik drejt NATO, Bashkimi Evropian dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përmbyllje, Sali u shpreh se VLEN nuk po ndërtohet vetëm për cikle zgjedhore, por si një projekt afatgjatë për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për një politikë më të organizuar dhe më pranë tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër