49.2 milionë euro nga BE në pikëpyetje për shkak të reformave të papërfunduara

Nga B.M
210 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 prill, Zhurnal.mk – Letra e komisionares evropiane për Zgjerim, Marta Kos, dërguar gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në të cilën ajo kërkon që të përshpëjtojnë reformat e nevojshme për Planin e Rritjesë, është alarm i veprimit para se të bëhet vonë.

Sipas letrës për të cilën raportoi Radio Evropa e Lirë nëse reformat e dakorduara nuk përmbushen deri më 30 qershor, rajoni rrezikon të humbasë mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së. Ky është një moment kritik, sepse fondet nuk janë të pakufizuara dhe çdo afat i humbur përkthehet në humbje të përhershme, shkruan Zhurnal.mk.

Nëse nuk ka reforma RMV humb 49.2 milionë euro

Nga 6 miliardë eurot e fondit për periudhën 2024-2027, BE-ja ka caktuar 922 milionë euro për Shqipërinë; 1.085 miliardë euro për Bosnjën dhe Hercegovinën (BiH), 882 milionë euro për Kosovën; 383,5 milionë euro për Malin e Zi; 750,4 milionë euro për Maqedoninë e Veriut dhe 1 586,4 miliardë euro për Serbinë.

Plani i Rritjes synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe të hapë rrugën drejt anëtarësimit në BE, sipas KE-së.

Për Maqedoninë e Veriut, sipas vërejtjeve të Komisioneres Kos, shuma e rrezikuar është 49.2 milionë euro.

Në një ekonomi me inflacion në rritje dhe mungesë zhvillimi, ku investimet e huaja janë në rënie dhe rritja ekonomike është e zbehtë, humbja e këtyre fondeve do të rëndonte edhe më shumë gjendjen, sidomos tash përgjatë kësaj krize që e ka kapluar edhe vendin tonë.

Humbja e eventuale e këtyre fondeve do të thoshte më pak mundësi për modernizim të administratës, mungesë digjitalizimi, më pak mjedis të gjelbër dhe më pak projekte të dobishme për qytetarët. Nëse RMV dështon të përmbushë reformat e kërkuara, porosia e cila dërgohet nga Brukseli është e qartë mungesë serioziteti dhe kapaciteti për të përmbushur kërkesat e reformave që duhen ndërmarrë për të merituar këto fonde, të cilat jepen në formë kredie dhe faljesh.

Rajoni dhe pasojat nga mungesa e reformave

Sipas burimeve të Radio Evropa e Lirë në Bruksel, humbjet e mundshme sipas shteteve, në rast se nuk ndërmerren të gjitha reformat, janë si vijon:

  • Kosova: 68.8 milionë euro
  • Shqipëria: 67.7 milionë euro
  • Bosnja dhe Hercegovina: 373.9 milionë euro
  • Mali i Zi: 15.1 milionë euro
  • Maqedonia e Veriut: 49.2 milionë euro
  • Serbia: ndërmjet 108.7 dhe 135.9 milionë euro

Pse vendet po ngecin në reformat që duhet t’i bëjnë?

Kërkesat dhe përpjekjet për reforma janë të shpeshta por pa rezultate. Polarizimi politik pothuajse në gjitha vendet është arsyeje bazë që e bën të vështirë miratimin e ligjeve. Nga ana tjetër, administrata e ngadalshme dhe mungesa e kapaciteteve të duhura shkaktojnë pengesë shtesë në këtë drejtim.

E më e rënda dhe vështirë e pranueshme për qytetarët është shkaku kur interesat e ngushta partiake shpesh e shohin reformën si kërcënim për pushtetin, kjo vjen në shprehje për vendet veç e veç.

Në rastin e RMV-së, vonesat në zbatimin e reformave për gjyqësorin, administratën publike dhe ekonominë janë pasojë e një sistemi që vepron me hapa shumë të ngadalshëm.

Prandaj, Maqedonia e Veriut, gjendet përballë një dileme strategjike të përshpejtojë reformat duke treguar se është e gatshme për integrim dhe duke siguruar fondet që mund të gjenerojnë zhvillim ose të humbë 49.2 milionë euro, duke dërguar sinjalin se vendi nuk është i aftë të përmbushë angazhimet e veta.

Në një kohë kur qytetarët kërkojnë standard më të lartë jetese dhe kur integrimi evropian shihet si rruga e vetme për stabilitet, humbja e fondeve do të ishte jo vetëm dështim ekonomik, por edhe dështim politik. Letra e Marta Kos është një thirrje e qartë që duhet të dëgjohet me kujdes se koha e justifikimeve ka mbaruar tani është koha e veprimit. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër