Katër kandidatë deri më tani janë paraqitur në shpalljen për Prokuror Publik Shtetëror, afati skadon në mesnatë

Nga B.M
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 janar – Deri më sot, gjithsej katër aplikime kanë mbërritur në shpalljen e Kuvendit për Prokuror Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
 
 Nga shërbimi për shtyp i qeverisë konfirmojnë se në arkivin e Kuvendit janë dorëzuar katër aplikime për këtë pozitë, por nuk zbulojnë detaje se kush janë aplikuesit.

Afati për paraqitje, në përputhje me ligjin, skadon sot në mesnatë.
 
Kandidaturën e tij për shpalljen për Prokuror Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të shpallur nga Kuvendi, deri më tani e ka konfirmuar ish-kryetari i Gjykatës Themelore Shkup, Vladimir Pançevski. Në aplikimin e Pançevskit, të dorëzuar më 21 janar në Kuvend, thuhet se ai i plotëson të gjitha kushtet ligjore për ushtrimin e funksionit të Prokurorit Publik Shtetëror. 

“Bashkëngjitur, ai u ka dorëzuar organeve kompetente propozim-dokumentacion dhe dëshmi për përmbushjen e kushteve të përgjithshme të përcaktuara në nenin 61 të Ligjit për Prokurorinë Publike, si dhe dëshmi për përmbushjen e kushteve të veçanta nga neni 62 paragrafi 1 alineja 1 e këtij ligji – theksohet në aplikimin e Pançevskit drejtuar Kuvendit.

Aplikim për funksionin e Prokurorit Publik Shtetëror paralajmëroi edhe ish-prokurori i lartë publik në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, Mustafa Hajrullahi.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Ljupço Koçevski dorëzoi dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i Prokurorit Publik Shtetëror. Deri në zgjedhjen e një prokurori të ri, për ushtrues të detyrës është zgjedhur Anita Topolova-Isajllovska, ish-zëvendësprokurore publike republikane.

Procedura për zgjedhjen e Prokurorit Publik Shtetëror filloi me konkursin e shpallur nga Kuvendi më 12 janar të këtij viti, me një afat për aplikim prej 15 ditësh nga data e publikimit në “Gazetën Zyrtare”. Kandidatët duhet të kenë një përvojë pune të pandërprerë prej të paktën 10 vjetë si prokurorë publikë ose gjyqtarë në fushën e së drejtës penale.

Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, aplikimet e pranuara i dërgohen Qeverisë. Pas dorëzimit të aplikimeve, Qeveria kërkon mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i detyruar të dorëzojë mendime të arsyetuara brenda 15 ditëve. Nëse Këshilli nuk jep një mendim pozitiv për asnjërin nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të propozojë asnjë kandidat dhe i sugjeron Kuvendit shpalljen e një konkursi të ri.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër