Çfarë do të ndodhë në takimin që “do të ndodhë ndonjëherë”, Mickoski-Ahmeti?

nga I.A

Shkup, 29 janar – Në çdo demokraci funksionale është krejt normale që kryeministri të takohet me liderin e opozitës aq më tepër kur bëhet fjalë për liderin e bllokut më të madh politik shqiptar në vend. Vetë ideja e takimit Mickoski–Ahmeti nuk është lajm. Lajm është hezitimi, koha e paqartë dhe gjuha e kujdesshme e kryeministrit rreth tij. Ndërkaq, e gjithë zhurma e krijuar rreth këtij takimi më shumë ngjanë të jetë nga frika e rregullimit të raporteve mes dy liderëve sesa nga përmbajtja e atij takimi, shkruan Zhurnal.

Mickoski i rezervuar në raport me Ahmetin – 

Kryeministri Mickoski ka treguar se di të jetë i drejtpërdrejtë, madje i ashpër, me partnerë të tij qeverisës. Fakti që me Ahmetin përdor një ton më të përmbajtur, pa sulme frontale, pa përjashtime kategorike është vetë mesazhi. Ai nuk po e mbyll derën, por as nuk po e hap.

Kjo krijon një hapësirë të ngrirë politike, e cila shpesh është më e dobishme sesa “po” ose “jo”. Kryeministri po mban opsionet e hapura pa e legjitimuar publikisht opozitën shqiptare si partner të domosdoshëm politik.

Takimi me Ahmetin nuk është vetëm takim partiak ka peshë etnike dhe simbolike. Një fotografi zyrtare, një deklaratë e përbashkët, një gjuhë bashkëpunimi do të lexohej si sinjal për rikonfigurim të raporteve politike në kampin shqiptar dhe më gjerë.

Prandaj vonesa nuk është rastësi, Mickoski duhet të ruajë disa balanca njëkohësisht të mos duket se po i jep peshë të tepruar BDI-së si faktor i pazëvendësueshëm. Të mos dërgojë sinjal dobësie te partnerët aktualë e që për këtë mbase ka dëshmuar që nuk është se brengoset edhe shumë. 

Por edhe të mos mbyllë kanalin me një parti që historikisht ka qenë pjesë e pushtetit. Pra, kur deklaroi se ky takim do të ndodhë “ndonjëherë” është fjalë që mban të qetë disa fronte njëkohësisht. 

Për çudi kryeministri është më gojshlirë në kritika ndaj partnerëve sesa ndaj Ahmetit. Kjo përmbys logjikën klasike “më i ashpër me opozitën, më i butë me të vetët”. Kjo shihet edhe si mesazh për partnerët që askush nuk është i pazëvendësueshëm. Opozita ekziston si alternativë komunikimi. Edhe mesazh për Ahmetin se dera nuk është e mbyllur, por as e hapur pa kushte.

Duke mos caktuar datë, Mickoski e mban kontrollin e ritmit politik. Ai e lë Ahmetin në pritje, ndërsa vetë ruan komoditetin e interpretimit takimi mund të ndodhë kur të jetë i dobishëm për të, jo kur të duket si nevojë.

Kjo është teknikë klasike e pushtetit mos e refuzo, por as mos u ngut. Në këtë mënyrë, çdo takim eventual do të duket si akt i zgjedhur nga kryeministri, jo si lëshim. Nga ana tjetër, kjo krijon perceptimin se raporti me BDI-në është i rëndësishëm, por jo përcaktues për stabilitetin e qeverisë të paktën në këtë fazë.

Takimi Mickoski–Ahmeti, paradoksalisht, po prodhon efekt politik edhe pa ndodhur ende. Fjala “ndonjëherë” është bërë instrument. Ajo mban hapur derën e dialogut, por e lë çelësin në xhepin e kryeministrit. Në politikë, shpesh nuk janë takimet që flasin më shumë por pritja për to./Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More