Analizë / Po bëhen realitet premtimet për zhvillim dhe modernizim në Çair!

nga Redaksia

Shkup 17 shkurt- Siç ka filluar të ngrohet moti, ngjashëm kanë filluar të plotësohen edhe premtimet e shumta të kryetarit të ri të komunës së Çairit, Izet Mexhiti. Së fundmi punimet kanë filluar në një prej projekteve më domethënëse, që është rindërtimi dhe zgjerimi i rrugës “Ferid Murati” me gjatësi rreth një kilometër, shkruan “Zhurnal.mk”.

Ky zgjerim do të sigurojë 200 vende të reja parkimi, ndërsa faza e parë e restaurimit do të përfshijë 600 metra të rrugës, dhe fondet për këtë fazë, e cila kushton 22 milionë denarë, mbulohen kryesisht nga Banka Botërore, ndërsa vetëqeverisja lokale po merr pjesë me katër milionë denarë. Pjesa e dytë e rinovimit të rrugës “Ferid Murati”, përkatësisht 400 metrat e mbetur, do të realizohet me mbështetjen e Qeverisë dhe Komunës, ndërsa i gjithë projekti parashikon zgjerimin e rrugës me hapësirë për shtigje biçikletash në të dyja anët, trotuare dhe vende parkimi.

Aktivitetet e ndërtimit do të përfshijnë edhe ndërtimin e dy rrethrrotullimeve të reja, një në kryqëzimin me rrugën “Xhon Kenedi” dhe i dyti te shkolla fillore “Ismail Qemali”, si dhe rindërtimin e rrethrrotullimit ekzistues.

Rruga “Ferid Murati” është një nga arteriet kryesore të trafikut në Çair, por edhe në qytet, dhe zgjerimi i saj do të rrisë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.

Përveç restaurimit të rrugës “Ferid Murati” në Çair, Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Çairit, kanë marrë edhe një vendim shtesë, megjithëse nuk ka qenë pjesë e programit parazgjedhor, është rindërtimi i bulevardit modern “Mit’hat Frashëri”, me të cilin të rrisë sigurinë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, por do të zgjidhë edhe problemin e parkimit të paligjshëm.

Kjo rrugë u rindërtua për herë të fundit në vitin 2020 nga kryetari i atëhershëm i Shkupit, Petre Shilegov. Në atë kohë, u rindërtuan trotuaret dhe bordurat, si dhe u niveluan pusetat, dhe u njoftua një sistem i ri për kanalizimet atmosferike dhe të ujërave të zeza. I gjithë projekti kushtoi 56 milionë denarë.

Bulevardi modern “Mit’hat Frashëri” në segmentin nga kryqëzimi me rrugën “Xhon Kenedi” deri te kryqëzimi me bulevardin “Bosna dhe Hercegovina”, në gjatësi prej 1.4 kilometrash. Ky projekt zgjidhje moderne të komunikacionit me 4 korsi qarkullimi (nga 2 në secilin drejtim), brez të gjelbër qendror për më shumë siguri, shtigje për biçikleta në të dy drejtimet, trotuare për lëvizje të sigurt të këmbësorëve, gjelbërim mbrojtës anësor dhe hapësira të posaçme për ndalesa autobusi. Ky investim që financohet nga Qyteti i Shkupit, është vlerë e shtuar për Çairin.

Në Çair, më saktësisht në Fushë Topanë u promovua edhe një nga projektet më moderne për pastërtinë dhe rregullin urban, vendosjen e kontinjerëve nëntokësorë, projekt i cili do të realizohet në gjithë Çairin.
Kjo do të thotë më pak mbeturina jashtë, më pak rrëmujë, më shumë higjienë për çdo familje.
Ky sistem do mbajë ambientin më të rregullt. Më të pastër. Më të sigurt. Mbeturinat ruhen nën tokë, larg syrit dhe larg aromave. Hapësira mbi tokë lirohet. Rrugët duken më mirë. Ambienti bëhet më i jetueshëm.
Deri më tani janë vendosur kontejnerë në 6 lokacione, ku secili lokacion ka nga 3 kontejnerë nëntokësorë. Deri në fund të vitit do të vendosen me këtë sistem në 15 lokacione dhe mbi 50 kontejnerë nëntokësorë do të jenë në funksion të qytetarëve.

Përveç këtyre projekteve, deri në fund të këtij viti pritet të fillojë edhe projekti më i madh në Çair, përkatësisht zgjerimi i bulevardit “Cvetan Dimov” (rruga te Xhamia Jahja Pasha). Deri atëherë, Qyteti do të fillojë procedurën me shpronësimin e të gjitha objekteve që do të duhet të hiqen në mënyrë që ky projekt të mund të realizohet. Shpronësimi i hershëm do të ndihmojë në përshpejtimin e zbatimit të projektit sepse një numër i madh bulevardësh në të gjithë Shkupin kanë mbetur të papërfunduar për vite me radhë pikërisht për shkak të shpronësimit të dështuar.

Në këtë mënyrë, deri në kohën kur të zgjidhen marrëdhëniet juridike pronësore, dokumentacioni i projektit do të jetë gati, gjë që do të pasohet nga fillimi i një procedure tenderimi dhe përzgjedhja e një kontraktori për këtë projekt të madh.

Ky projekt serioz dhe i kushtueshëm do të zbatohet nëpërmjet bashkëpunimit ndërkomunal midis Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit, dhe projekti është planifikuar të përfundojë deri në vitin 2028. Qyteti ka ndarë 150 milionë denarë ose pak më shumë se 2.4 milionë euro për zgjerimin, të cilat shpërndahen në tre faza.

Rindërtimi dhe zgjerimi do të mbulojë segmentin nga kryqëzimi me Bulevardin Nikola Karev, i njohur më mirë si Rruga e Plastikës, deri te semaforët në kryqëzimin me rrugën Xhon Kenedi, duke mbuluar pothuajse të gjithë gjatësinë kritike të rrugës ku krijohen “bllokime” dhe vonesa të mëdha të automjeteve çdo ditë.

Nga Buxheti i Qytetit të këtij viti do të ndahen 5 milionë denarë, ndërsa mjete do të parashikohen edhe në buxhetet e Qytetit të Shkupit për dy vitet e ardhshme, përfshirë vitin 2028.

Pasi të përgatitet projekti, do të fillojë faza e parë, e cila do të përfshijë shpronësimin e ndërtesave të ligjshme dhe prishjen e ndërtesave të paligjshme të rreshtuara përgjatë bulevardit, një detyrim që Qyteti i Shkupit duhet ta përfundojë.

Pika më kritike është ndërtesa që ka mbetur që nga koha e komunizmit, ndërtesa përballë shkollës Liria. Të tjerët dhe ata që ndërtuan ndërtesa të përkohshme, i dinë vijat e kuqe, ndërkaq ndërtesat që do të shemben do të kompensohen, sepse ka një buxhet prej 2-3 milionë eurosh për kompensim.

Sa i përket gjelbërimit dhe pemëve në këtë rrugë, atje ka pemë që do të duhet të mbrohen dhe do të krijohet një brez i ri i gjelbër që do të shtrihet në mes të bulevardit, aty ku tani ka beton.

Të gjitha këta projekte dhe të tjera që do të vijnë në të ardhmen, janë vetëm një dëshmi se fokusi kryesor i zhvillimeve është te komuna e Çairit dhe se është koha e fundit që edhe pjesa shqiptare e qytetit të jetë një vendbanim modern evropian, shkruan “Zhurnal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More