Shkup, 22 shkurt – Opsioni për anëtarësimin e vendit në BE deri në vitin 2027, me të drejtë vote të kufizuar, nuk është një opsion i tanishëm, por daton tre-katër vjet më parë, para se të ndodhnin ndryshimet tektonike në skenën gjeopolitike.
Kështu e analizon ambasadori Gjorgji Filipov deklaratën e fundit të Kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili shpalosi se, mes të tjerash, në tavolinën e BE-së ekziston edhe ky opsion për të ardhmen evropiane të vendit.
Sipas Filipov, ky opsion është përfolur shumë herë gjatë kësaj periudhe dhe ai e vlerëson si pozitiv, jo vetëm për vendin, por edhe për gjithë Bashkimin Evropian.
“Edhe pse më parë ishin kryer studime se si këto vende mund të afroheshin, të paktën gjeografikisht, për t’u integruar në BE, kjo ide u forcua dhe synimi ishte që të mund të bëhej një lloj përfshirjeje e këtyre vendeve në BE. Megjithatë, duke qenë se ato nuk po përparojnë si duhet, idetë ishin t’u jepet mundësia që nga brenda të përjetojnë se çfarë do të thotë vetë anëtarësimi në BE dhe të mund të marrin disa vendime më lehtë, duke pasur mundësinë që politikanët në pushtet t’u tregojnë votuesve të tyre se ata janë të pranishëm në vendin e ngjarjes dhe se zëri i tyre mund të dëgjohet më shumë edhe në BE. Dhe për këtë arsyje mund të konkludohet nëse kjo ide miratohet, mund të themi se është ide pozitive, por për momentin bëhet fjaë vetëm për diskutimin e saj dhe ekzistojnë shumë propozime të ndryshme” – tha Ish Ambasadori, Gjorgji Filipov.
Ndërkohë, analisti politik Petar Arsovski vlerëson se, me ose pa opsionin për anëtarësim asociativ, vendi ynë është i detyruar përsëri të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të cilat janë parashikuar si kusht në kornizën negociuese.
“Pikërisht kështu duhet të analizohen të dy opsionet në tryezë. Në këtë moment, ne kemi një kornizë negociuese për anëtarësim të plotë, ku kushti janë ndryshimet kushtetuese dhe madje edhe për anëtarësim asociativ, kushti për ndryshime kushtetuese do të mbetet i njëjtë. Nuk do të ndryshojë. Pra, pyetja është, nëse çmimi është i njëjtë, pse të pranojmë një shpërblim më të dobët? Kushti për anëtarësim në BE do të mbetet i njëjtë, ato janë ndryshimet kushtetuese, strukturore dhe të hapura, por një anëtarësim asociativ në vitin 2027, i cili sipas meje mendoj se është më pak i mundshëm, do ta bëjë procesin më të parashikueshëm dhe ndoshta do të inkurajonte elitat lokale politike për t’i ndërmarrë ndryshimet e nevojshme kushtetuese.” – deklaroi analisti Petar Arsovski.
Tashmë një kohë të gjatë Bashkimi Evropian po mendon për reforma në mekanizmin e vendimmarrjes për zgjerimin e unionit me shumicë të zgjeruar.
Sipas analistëve të vendit, është e vështirë të pritet që deri në vitin 2027 BE-ja do të ndryshojë mekanizmin e vendimmarrjes për zgjerimin, por ata mendojnë se BE mund të arrijë një kompromis për të lejuar që Ukraina të anëtarësohet sa më shpejt në BE dhe krahas saj edhe disa vende kandidate nga Ballkani Perëndimor.
