PD kërkon përjashtimin e Ballës me 60 ditë nga Kuvendi

Nga D. V.
670 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Partia Demokratike, kërkoi sot përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Shkak sipas tyre, është bërë fjalori i përdorur nga Balla gjatë seancës parlamentare të 5 marsit kundrejt deputetes Albana Vokshi.

“Rezulton se kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur një gjuhë fyese, ofenduese, seksiste, diskriminuese dhe tërësisht të papranueshme në drejtim të deputetes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Albana Vokshi, duke cenuar rëndë dinjitetin e saj si deputete, si grua dhe nënë”, thuhet në kërkesën e PD-së.

Më tej PD nënvizon se “gjuha e përdorur nga deputeti Balla nxit urrejtjen dhe diskriminimin mbi baza gjinore, duke dëmtuar rëndë reputacionin e Kuvendit dhe të deputetëve tek qytetarët, si dhe përhap mesazhin e normalizimit të një gjuhe të tillë ndaj vajzave dhe grave”.

Sipas deputetëve të PD-së, kjo kërkesë nuk ka për qëllim vetëm ndëshkimin e deputetit Balla për fyerjet e tij ndaj deputetes Vokshi, por edhe të përçojë në shoqëri mesazhin se për Kuvendin e Shqipërisë dhe deputetët e tij çdo formë diskriminimi, ngacmimi seksual, përhapje urrejtje mbi baza gjinore është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

“Kërkojmë marrjen e menjëhershme të masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare 60 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla”, thuhet në kërkesën e PD-së drejtuar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër