Editorial / Politikanët shqiptarë duhet BËRË, e jo vetëm THËNË

Nga B.M
2,642 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 Mars, Zhurnal.mk – Pas 25 vitesh konflikti të armatosur në dikur Maqedoni e sot Maqedoni e Veriut, projekti jo i përkryer ‘Marrëveshja e Ohrit’ midis shqiptarëve dhe maqedonasve për të drejtat e shqiptarëve të vendit, tërthorazi po futet në tavolinë analizash e vlerësimesh të cilat së fundi janë shndërruar në akuza e fajësime brenda palës shqiptare, përkatësisht partive politike shqiptare, e rrjedhimisht edhe ndaj palës maqedonase.

Në krye të këtyre analizave e vlerësimeve gjendet pjesa e papërfunduar për gjuhën shqipe, sa në moszbatimin e kushtetutës për të, po aq edhe në mos-zbatimin e ligjit të gjuhëve.

Në të njëjtën kohë, ankesat e krejt palëve shqiptare drejtohen tash së fundi po aq edhe ndaj palës maqedonase, përkatësisht partisë më madhe maqedonase dhe njerëzit e përafërt me të.

Çështja e provimit të jurisprudencës, ajo e inspektorëve të provimit të lejes për drejtim veture, komunikimi i projektit ‘Qyteti i Sigurt”, janë shpërthimet më të freskëta të projektit jo komplet të Marrëveshjes së Ohrit, kur është fjala për përdorimin e gjuhës shqipe.

Dhe krejt këto përplasje ndodhën muajtë e fundit. Mos të befasohet askush se shpërthime dhe përplasje do të ketë edhe në raste të tjera po ashtu për gjuhën shqipe.

Palët shqiptare, në këtë rast ato në opozitë, janë më të zëshmet në ankesat e tyre.

Është e lehtë që të reagohet nga pozicioni i opozitës sa herë që ke pakënaqësi. Ankesat e krejt partive politike shqiptare në opozitë bëhen me të drejtë, pas asnjë hamendje pra. Gjuha shqipe nuk po respektohet nga maqedonasit. Këtu nuk ka asnjë dilemë. Edhe ato ligje që dalin nga kushtetuta aktuale e që u bënë për gjuhën shqipe nuk po zbatohen si duhet.

Partitë opozitare janë shumë aktive me ankesat e tyre. Me të drejtë.

Por në krye të këtyre akuzave po kërkohet faj individual tek pala maqedonase, siç është rasti i Ministrit të Drejtësisë Igor Filkov, apo edhe së fundi rasti i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, shkruan Zhurnal.mk.

Ankesat e BDI dhe vërejtjet për “destabilizim”

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ditëve të fundit ka dërguar një letër ose në gjuhën diplomatike një ‘non-paper’ deri tek ambasadat e huaja në Shkup, duke tentuar që ndezë alarmin tek perëndimorët se Gjykata Kushtetuese me veprimet e saj mund të shkaktojë destabilizim të vendit.
Se anëtarët maqedonas të gjykatës, sidomos kryetari, i saj kohëve të fundit me sjelljet dhe veprimet e tij po nxit tensione, këtu nuk ka dilemë. Por a mund që të ketë destabilizim siç e thotë Ahmeti dhe çfarë nënkupton destabilizimi? Këtë mund të dijë vetëm Ali Ahmeti dhe njerëzit përreth tij. Nëse destabilizim do të thoshte sikur rasti i viteve 2007 e 2008 kur BDI u dërgua në opozitë e pastaj i bllokoi autostradat disa herë, atëherë kjo mund të jetë një lloj destabilizimi.

Me t’u kthyer në pushtet BDI asaj kohe, Maqedonia u “stabilizua”. U bënë edhe ca ligje të tjera në të mirë të përdorimit të gjuhës shqipe.

E tash në 2026, kur përsëri BDI është në opozitë problemet që po shpërthejnë në sipërfaqe me gjuhën shqipe, e që nuk janë të reja, sipas kësaj partie mund të shpiejnë në destabilizim të vendit. Ia lëmë përsëri BDI-së dhe Ahmetit që të sqarohen se si mund të destabilizohet vendi, nëse kërkesat e saj dhe partive të tjera në opozitë refuzohen nga pala maqedonase, kryesisht nga VMRO-DPMNE dhe kreu i saj.

Kërkesa për Parimin e Badenterit

Si është e mundur që tash përsëri, përkundër pas kaq shumë viteve, përsëri kemi problem me përdorimin e gjuhës shqipe ?

BDI në këtë letër akuzon se duke hapur çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve, gjykatësit maqedonas të Gjykatës Kushtetuese e kanë shndërruar këtë gjykatë në një institucion para-politik, i cili përmes mbivotimit sipas vijave etnike merr vendime me karakter etnik në dëm të shqiptarëve, në rastin konkret për gjuhën shqipe së fundi.

Por lista është gjatë. Vendimi i fundit për “Qyteti i Sigurtë”; shfuqizimi i “balancuesit”; procedura për gjuhën shqipe; rrezikimi i rasteve të Hagës, nga BDI-ja paraqiten si argumente para faktorit përëndimor përse duhet të vendoset Parimi i Badenterit.

Me fjalë të tjera, kur tash përsëri në opozitë, BDI dhe partitë e tjera në opozitë po bëhen kreative me ide të ndryshme. Me të drejtë, pa asnjë dyshim.
Një ndër këto ide kreative të tyre është edhe marrja e vendimeve me kriterin e Badinterit, pra me shumicë të dyfishtë në Gjykatën Kushtetuese. Pra, shumica e votave të krejt anëtarëve të gjykatës si kusht i parë i nevojshëm, e pastaj shumica e përfaqësuesëve të jo-shumicës si kusht i dytë. Mirë tingëllon kjo.

BDI tashmë ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, për hedhjen poshtë të iniciativave lidhur me “Qyteti i Sigurt”, ndërsa në lojë është edhe një kallëzim penal ndaj Kostadinovskit për rrëzim të rendit kushtetues, shkruan Zhurnal.mk.

“Badinter” kudo ose “destabilizim”

Sipas përmbajtjes së kësaj letreje të BDI-së, destabilizimi i vendit për shkak të përplasjeve ndër-etnike lidhet edhe me qeverinë e Hristijan Mickoskit, e cila sipas partisë së Ali Ahmetit, përmes presionit të fortë po përgatit shfuqizimin e një numri të madh dispozitash të Ligjit për gjuhën shqipe.
Idetë dhe kërkesat e BDI-së në këtë letër, nuk përmbyllen vetëm tek Gjykata Kushtetuese. Kjo parti opozitare, thotë se “Badinderi” duhet që të përdoret edhe për zgjedhjen e një qeverisë (koalicioneve qeveritare); në decentralizim të pushtetit qendror tek komunat; si dhe në procesin e vettingut.
Është fakt i pamohueshëm se mënyra e tashme e vendim-marrjes në Gjykatën Kushtetuese është bërë “mollë sherri” që po shkakton e rishfaqë në skenë përsëri tensione të reja ndër-etnike por me origjinë të vjetër.

Por, pyetja që shtrohet është se cila është përgjegjësia e BDI-së dhe Ali Ahmetit për problemet që po rishfaqen me të drejtat e shqiptarëve ?

A ka mundur BDI dhe Ali Ahmeti t’i rregullonin njëherë e përgjithmonë këto kërkesa të sotme të renditura në këtë letër kur kjo parti ishte në pushtet përplot 22 vite, për të evituar situatat e sotme që të mos mbeten në mëshirën e një ministri, një kryeministri, apo një gjykatësi maqedonas…përkatësisht një individi maqedonas ?

Janë 2 përgjegje në këtë pyetje.
E para, nëse është fjala për ligje për të cilat kërkohet shumica e thjeshtë nga 120 deputetë, përgjegja është PO.

A mjafton kriteri i “Badinderit” ?

Por për çështje të mëdha, që kërkojnë 2/3-at e anëtarëve të kuvendit, këtu përgjegja kërkon llogaritje të numrave të koalicioneve të atyre kohërave.
Në këtë përgjigje do të dilnim tek Kushtetuta, në të cilën gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase, por ajo (gjuha shqipe) dërgohet tek ligjet, për të cilën në disa raste ekzistojnë, por jo në të gjitha rastet.

BDI dhe Ali Ahmeti insistojnë se me Kushtetutë gjuha shqipe është gjuhë e barabartë dhe zyrtare po aq sa edhe gjuha maqedonase. Por nuk është.

E ftojmë Ali Ahmetin dhe krejt krerët e partive shqiptare në Maqedoni, në opozitë dhe pushtet (përfshi edhe ata që dikur ishin në BDI e tash janë në VLEN) që ta lexojnë Kushtetutën e Kosovës – të hartuar fillim e fund nga adresat perëndimore tek të cilat tash ankohet Ali Ahmeti me “non-paper” të tij – për gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe, dhe të bëjnë krahasimin.

Dallimi midis Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut dhe Kushtetutës së Kosovës për çështjen e gjuhëve është i madh. Gjuha Serbe në Kosovë nuk dërgohet tek ligjet, por ajo është gjuhë zyrtare po aq sa edhe gjuha shqipe në të njëjtën fjali për gjuhët aty në Kushtetutë.

Copëzimi i gjuhës shqipe përmes ligjeve dhe interpretimet

Rasti i provimit të jurisprudencës i përplas shqiptarët dhe maqedonasit, pra krejt partitë politike shqiptare, në opozitë e pozitë, me ato maqedonase, edhe ato në opozitë e pozitë.

Të dy palët, pra shqiptarët dhe maqedonasit, kanë interpretim të ndryshëm. Shqiptarët, pra partitë shqiptare, thonë se ligji për përdorim gjuhe mundëson përdorimin e gjuhës në provimin e jurisprudencës. Por, maqedonasit, përshirë edhe Mickoskin, thonë jo.

Maqedonasit thonë se duhet bërë përsëri një ligj i posaçëm për provimin e jurisprudencës, edhe pse Mickoski në paraqitjen e tij të parë tha se ligji për gjuhët mjafton që studentët shqiptarë të kalojnë këtë provim në gjuhën e tyre amtare. Dy ditë më vonë, e një ditë pas qëndrimit kokëfortë të Igor Filkovit, Kryeministri Mickoski e ndërroi qëndrimin dhe doli tek “nevoja” e një ligji të posaçëm për jurisprudencën.

Kushtetuta dhe pabarazia në të për gjuhët

Në rastin më të freskët për jurisprudencën, politikanët shqiptarë thonë se ligji për gjuhët është i mjaftueshëm. Por në fakt, përsëri që të gjithë merren me copëza të problemit, e jo me thelbin, origjinën e problemit.

Sepse mungesa e barazisë së gjuhës shqipe me gjuhën maqedonase shihet qartë në Kushtetutë.

Këtë Ali Ahmeti refuzon që ta pranojë, dhe vazhdon që ta mbrojë qëndrimin e tij se ligji për përdorim të gjuhëve e bënë shqipen po aq të barabartë sa edhe gjuhën maqedonase.

Mos-barazimi i gjuhës shqipe që në fjalinë hyrëse të Kushtetutës për gjuhët zyrtare, në të njëjtën fjali ku ndodhet gjuha maqedonase, tash përsëri i shpërfaqë problemet e trashëguara, dhe të dy palët, shqiptare dhe maqedonase, përplasen me interpretime të ligjit, dhe askush me origjinën e problemit, pra Kushtetutën. Kësaj i thonë kokëfortësi negative për të mos pranuar lëshimin e para 25 viteve kur éshté Kushtetuta është freskuar me Marrëveshjen e Ohrit.

2 dialogje të munguara

Në tërë këtë lëmsh situatash e tensionesh, përfaqësuesit e VLEN aktualisht sikur ndodhen në defanzivë, pikërisht ashtu siç dikur BDI ndodhej në defanzivë dhe presione nga partitë opozitare shqiptare sa kohë ajo ishte në pushtet.

Lëshimet e bëra në të kaluarën janë të përbashkëta. Faji nuk është jetim apo i vetëm njërës palë apo vetëm njërës parti politike. Përgjegjësitë ishin të përbashkëta atëherë kur u bënë lëshimet, pra kompromiset me maqedonasit. Por përgjegjësitë janë të përbashkëta edhe tash, pa marrë parasysh kush në cilën ulëse ndodhet, në opozitë apo pushtet.

Gara e partive opozitare shqiptare për “patriotizëm” dhe kreativitet kërkesash është në rregull, por sa të efektshme janë ato, kur mungon dialogu midis opozitarëve dhe pushtetarëve shqiptarë?

Në tërë këtë situatë, si është e mundur që të dy këto kampe politikanësh shqiptarë kanë krijuar kaq armiqësi midis tyre, kur që të gjithë besohet se i kanë të njëjta dëshira që gjuhën shqipe ta bëjnë të barabartë në përdorim sa edhe është gjuha maqedonase?

Dhe nëse vërtet, përgjegja e palës maqedonase ndaj kërkesave për kriter të Badinterit do të refuzohet edhe zyrtarisht nga VMRO-DPMNE, apo edhe nga LSDM, ZNAM e LEVICA, do të çonte drejt destabilizimit të vendit, ku do të ndodhen partitë shqiptare në një situatë të këtillë dhe si do të vepronin ato? Prandaj, krejt krerët e partive shqiptare do të duhet të kenë një minimum dialogu midis tyre. Meritat për ndryshime pozitive të pjesërishme, në këtë rast kriteri i Badinterit, apo madhore, siç mund të jenë idetë për ndryshim të kushtetutës, duhet të jenë të përbashkëta.

As dështimi nuk do të jetë i njërës palë. Por i të gjithëve.

Prandaj kërkohet një dialog fillestar midis krerëve të partive shqiptare, para se të fillonte ai i madhi midis shqiptarëve dhe maqedonasve për të evituar destabilizimin e vendit në emër të patriotizmit opozitar momental.

Duhët bërë, e jo vetëm thënë

Në një kohë kur çështje të rëndësishme për shqiptarët në Maqedonisë e Veriut tash përsëri janë bërë çështje diskutimesh edhe nga përfaqësues të institucioneve dhe opinionit të gjerë vendas të të gjitha niveleve, bëhet gjithnjë e më e qartë se përgjegjësia kryesore bie mbi përfaqësuesit politikë shqiptarë në rend të parë.

Pavarësisht dallimeve politike midis partive në pushtet dhe atyre në opozitë, momenti aktual kërkon më shumë unitet, maturi dhe vendimmarrje të përbashkët për çështje që prekin drejtpërdrejtë të drejtat kolektive dhe statusin ende të çaluar të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.

Partitë politike shqiptare, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, duhet ta kuptojnë se disa tema nuk mund të trajtohen përmes kalkulimeve të përditshme politike apo përfitimeve afatshkurtra partiake.

Çështjet si statusi i gjuhës shqipe, barazia institucionale dhe garantimi i të drejtave përmes mekanizmave kushtetues e ligjor kërkojnë qasje të përbashkët dhe strategji afatgjate.

Pikërisht për këtë arsye, shumë zëra në opinionin publik po kërkojnë një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme për këto çështje, përfshirë edhe përmes ndryshimeve të nevojshme në Kushtetutë të Maqedonisë së Veriut.

Një ri-rregullim i qartë kushtetues do të siguronte stabilitet juridik dhe do të shmangte debatet e përsëritura që herë pas here rikthehen në skenën politike dhe institucionale e që arrijnë deri tek rreziku i rikthimit të tensioneve dhe krizës ndër-etnike.

As shqiptarëve e as maqedonasve, e pra as Maqedonisë së Veriut, nuk i duhet një përplasje e re ndër-etnike.

Në vend të përplasjeve politike dhe deklaratave grindavece midis njëri-tjetrit, qytetarët presin që politikanët shqiptarë të vendit të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të ndërtojnë një konsensus të gjerë për çështjet madhore për të drejtat ende të rrudhura për shqiptarët dhe strategjike për të ndërtuar harmoninë e solidaritetin ende të munguar ndër-etnik në vend.

Historia ka treguar se kur shqiptarët kanë vepruar të bashkuar në momente kyçe, kanë arritur rezultate më të qëndrueshme dhe më të dobishme për popullin shqiptarë, përkatësisht të drejtat e tyre.

Krejt jeta është proces. E në Maqedoninë e tashme proces është ende edhe forcimi i harmonisë ndër-etnike përmes të drejtave të barabarta midis të dy popujve të saj më të mëdhenjë për nga numri, dhe pakicave.

Prandaj, ky është momenti kur partitë shqiptare duhet të tregojnë pjekuri e maturi politike dhe përgjegjësi institucionale, duke e vendosur interesin e qytetarëve mbi interesat partiake dhe duke punuar për një zgjidhje të qartë, të drejtë dhe afatgjate e të qëndrueshme.
Sepse në fund të fundit, qytetarët nuk presin vetëm deklarata apo premtime politike. Ata presin rezultate konkrete dhe veprime që garantojnë të drejtat dhe të ardhmen e tyre.

Politikanët shqiptarë duhet BËRË, e jo vetëm THËNË.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër