Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, pas takimit sot me protestuesit e arrestuar, theksoi se protestat dhe revoltat vetëm do të shtohen.
Sipas tij, “arrestimi politik vetëm sa i ka motivuar protestuesit më shumë për këtë betejë”.
“Ndihesh keq kur vjen këtu dhe shikon të arrestuar qytetarë që protestojnë për të drejtat e tyre. Ndërkohë që, në vend të tyre sot duhet të ishin banditët me dhe pa uniformë që i shërbejnë regjimit, që arrestojnë qytetarë në të drejtën e tyre, që dhunojnë qytetarët”, u shpreh Noka.
Sipas tij, asnjë gjë nuk e ndalon dot të drejtën e qytetarëve, por as edhe drejtësinë.
Ndërkohë, Noka theksoi se kushdo që dhunon opozitarët, qytetarët, deputetët dhe që arreston protestuesit paqësorë turpëron uniformën e policisë.
“Do ta paguajnë një për një. Ne po mbajmë shënim çdo gjë, çdo emër. Kemi nisur t’i denoncojmë dhe do t’i etiketojmë si armiq të drejtësisë dhe të ligjit çdo oficer, çdo drejtues, çdo punonjës që ka uniformën e policisë, por përfaqëson bandën e pushtetit. Ata do të konsiderohen armiq të ligjit dhe armiq të popullit opozitar dhe të opozitës”, u shpreh Noka.
