Shkup, 14 prill, Zhurnal.mk – Rritja e çmimeve të naftës të shkaktuara nga lufta në Lindjen e Mesme po e riformëson me shpejtësi tregun botëror të veturave. Shitja e automjeteve elektrike po rritet ndjeshëm, ndërsa konsumatorët përpiqen të shmangin rritjen e kostove të karburantit. Shumica e shteteve të Evropës veç se më kanë plan dhe ndajnë subvencione për ata që blejnë vetura elektrike, ndërsa fatkeqësisht Maqednia e Veriut ende ngelet shumë mbrapa në këtë aspekt. Qeveria duhet urgjentisht që ta liberalizojë tregun e veturave elektrike, t’i subvencionoj ata që blejnë lloje të tilla të veturave dhe të ndërtojë rrjet të mirëfilltë për funksionim të veturave elektrike, shkruan “Zhurnal.mk”.
Rritet kërkesa për vetura elektrike!
Sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit të cilat filluan më 28 shkurt, ka shkaktuar një rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve dhe protesta në disa vende. Përveç kësaj, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit – një rrugë kyçe për transportin e naftës dhe gazit – ka krijuar ndërprerje serioze në tregjet globale.
Çmimet e naftës bruto janë rritur me rreth 50 për qind që nga fillimi i konfliktit, duke tejkaluar përsëri 100 dollarë për fuçi të hënën dhe duke rënduar ekonomitë e varura nga karburanti në vendet arabe, veçanërisht në Azi. Me alternativa të kufizuara ndaj naftës së importuar, rritja e çmimeve i ka goditur rëndë familjet – dhe i ka dhënë një shtysë të madhe prodhuesve të automjeteve elektrike.
Ndryshe nga karburantet, çmimet e energjisë elektrike kanë mbetur relativisht më të qëndrueshme, duke rritur më tej atraktivitetin e makinave elektrike.
Platforma gjermane Mobile.de thotë se çmimet e larta të karburantit kanë qenë një “katalizator” për rritjen e interesit për makinat elektrike. Në mars, kërkimet u rritën me mbi 50% krahasuar me shkurtin. Në të njëjtën kohë, interesi për automjetet me benzinë dhe naftë është në rënie, ndërsa hibridet po shënojnë një rritje të moderuar prej rreth 4%.
Një rritje e tillë mund të stabilizohet pjesërisht me kalimin e kohës, megjithatë interesi për automjetet elektrike nuk do të kthehet në nivelet e vjetra.
Arsyeja është një ndryshim në ndërgjegjësimin e konsumatorit – gjithnjë e më shumë njerëz po shohin koston totale të pronësisë, jo vetëm çmimin fillestar të makinës.
Siç theksojnë analistët, kriza e karburanteve ka përshpejtuar procesin që tranzicioni klasik i energjisë në Evropë deri më tani nuk ka arritur ta arrijë plotësisht.
Subvencione të majme për ata që blejnë vetura elektrike
Ndërsa të gjitha shtetet anëtare të BE-së ofrojnë një lloj lehtësimi tatimor për të rritur shitjet e automjeteve elektrike, ekziston një ndryshim i rëndësishëm midis skemave të tyre të nxitjes së blerjes direkte.
Vendet që ofrojnë subvencionet të majme qeveritare për blerjen e automjeteve elektrike në vitin 2025 janë Italia (duke filluar skemën e saj në mesin e tetorit), e ndjekur nga afër nga Polonia dhe Greqia.
Meqenëse shitjet e automjeteve elektrike janë ende të kufizuara nga çmimet e larta dhe mungesa e stacioneve të karikimit në Evropë, vendet kanë zbatuar një gamë të gjerë skemash. Këto synojnë të rrisin shitjet e automjeteve me emetim zero në një përpjekje për të përmbushur objektivat e BE-së për emetimet e karbonit. Objektivat kërkojnë që flotat e makinave të reja të pasagjerëve duhet të ulin emetimet e tyre të CO2 me 55% deri në vitin 2030.
Italia ofron rreth 11,000 euro për individët, duke mbuluar deri në 30% të çmimit total të blerjes së një makine të re elektrike.
Greqia dhe Polonia ofrojnë secila rreth 9,000 euro në subvencione për individët. Në Greqi, kjo shumë plotësohet me 2,000 euro të tjera për skrapimin e një automjeti të vjetër ndotës dhe 1,000 euro nëse blerësi është më i ri se 29 vjeç. Polonia gjithashtu vendos taksë zero regjistrimi për automjetet elektrike me motor, ku pjesa e tregut për këto automjete ishte 5.4% në shtatë muajt e parë të vitit.
Sllovenia ndan deri në 7,200 euro për të ndihmuar në blerjen e një automjeti të ri elektrik me çmim deri në 35,000 euro (përfshirë TVSH-në), ndërsa Spanja ofron midis 4,500 dhe 7,000 euro për automjetet elektrike.
Vendet nordike, përfshirë Norvegjinë dhe Danimarkën, edhe pse kanë përqindjen më të lartë të automjeteve elektrike me bateri (pjesëmarrja në treg ishte përkatësisht 94.1% dhe 64.3%), nuk ofrojnë stimuj të drejtpërdrejtë blerjeje. Megjithatë, automjetet elektrike me motor në Norvegji janë të përjashtuara nga TVSH-ja, ndërsa në Danimarkë, automjetet me emetime zero paguajnë 40% të taksës së regjistrimit, me një zbritje shtesë prej 22 mijë €, shkruan “Zhurnal.mk”.
Maqedonia e Veriut tek tani do të ndërtojë Strategji Kombëtare për veturat elektrike!
Siç jemi gjithmonë më të fundit, ashtu edhe kësaj radhe kemi ngelur më të fundit në Evropë sa i përket përdorimit të veturave elektrike. Aktualisht, Maqedonia e Veriut nuk ka një program shtetëror aktiv për subvencionimin e automjeteve elektrike. Në vitet e fundit (dhe veçanërisht në vitin 2018), disa herë janë njoftuar masa të mundshme, por deri më tani nuk është zbatuar asnjë iniciativë konkrete për mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për blerjen e një makine elektrike.
Vetëm në korrik të vitit të kaluar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka vendosur t’i ofrojë vendit një grant prej 350,000 eurosh për asistencë teknike në zhvillimin e një Strategjie Kombëtare dhe Infrastrukturës së Mbushjes të Automjeteve Elektrike. Sipas Ministrisë së Transportit, strategjia kombëtare për automjetet elektrike, është e para e këtij lloji në Maqedoninë e Veriut dhe , do të mundësojë një qasje strategjike ndaj zhvillimit të infrastrukturës rrugore për të mbështetur vendosjen e automjeteve elektrike në rrjetin rrugor.
Me këto para do të përgatitet strategji për automjetet elektrike dhe veprimet prioritare me afate që duhet të miratohen nga Qeveria.
Në vitin 2024, Ministria e Ekonomisë e Maqedonisë ndau kuponë me vlerë rreth 4.1 milionë euro për blerjen e kondicionerëve inverter, por ende nuk ka vendosur të ndajë subvencine për veturat elektrike.
Edhe pse makinat elektrike po bëhen gjithnjë e më të përballueshme, mbështetja shtetërore mbetet çelësi për përdorimin e tyre masiv. Maqedonia e Veriut ka potencial, por pa një strategji dhe subvencione konkrete, ajo do të mbetet prapa fqinjëve të saj dhe trendeve evropiane. Investimi në lëvizshmërinë elektrike nuk është vetëm një vendim mjedisor, por edhe ekonomik dhe strategjik për të ardhmen, shkruan “Zhurnal.mk”.
