Kurti dhe Haxhiu fillojnë “fshesën” në diplomaci: Shkarkohet ambasadori Miftaraj

Nga Xh M
767 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 29 prill Zhurnal.mk – Me të marrë Zyrën e Presidencës, pushteti i VV-së ka filluar “fshesën” në diplomaci. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti kanë nisur shkarkimet e para.

Merret vesh, se tashmë është shkarkuar ambasadori në Misionin e Posaçëm në Vatikan, Vehbi Miftaraj.

Kështu shkruan Nacionale, e cila raporton se pushteti ka diskutuar edhe për shkarkime tjera në diplomaci.

Një burim nga Presidenca i ka thënë gazetës se Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu kanë diskutuar për ndërprerjen e mandatit të shumë ambasadorëve të Republikës së Kosovës në botë dhe kthimin e tyre në atdhe.

Më 26 janar të vitit 2024, Vehbi Miftaraj ishte emëruar udhëheqës i misionit të Kosovës në Selinë e Shenjtë.

Deri në atë kohë, Miftaraj, kishte shërbyer si këshilltar i presidentes Vjosa Osmani.

“Sot, pas tri vjetësh pune si këshilltar politik i Presidentes Vjosa Osmani, e përmbylla angazhimin tim në Zyrën e Presidentes së Kosovës. Ka qenë përvojë fort e vyer në shërbim të Republikës. E falënderova Presidenten për bashkëpunimin e deritashëm dhe për besimin, të cilin ajo dhe institucionet e tjera të vendit ma kanë dhënë, për ta udhëhequr misionin e sapothemeluar të Kosovës në Selinë e Shenjtë/Vatikan”, kishte shkruar Miftaraj në profilin e tij në Facebook, pasi ishte emëruar si ambasador nga presidentja Vjosa Osmani.

Ky emërim ishte bërë pak kohë pasi Osmani kishte njoftuar për hapjen e këtij misioni.

Më 12 janar, Vjosa Osmani kishte njoftuar se ka dekretuar hapjen e Misionit të posaçëm të Kosovës në Vatikan.

Aso kohe Osmani kishte vlerësuar se njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë do të ndikonte në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë së Kosovës dhe në procesin e integrimin të vendit në strukturat euro-atlantike.

Ligji për Shërbimin e Jashtëm tregon për roli e misioneve të posaçme.

“Mision i përkohshëm, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme, të cilat janë në interes të Republikës së Kosovës”, thuhet në ligj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër