Editorial / Një VLEN drejt ruajtjes së votës shqiptare nga copëtimi

Nga B.M
976 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 Maj, Zhurnal.mk – Thirrja e kahmotshme e politikanëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut për ruajtjen e votës së shqiptarëve nga copëtimi nëpër shumë parti politike dhe mos-djegien e votave të tyre, me 9 Maj mori një hap të pjesërishëm me shkrirjen e pesë partive në një të tillë, në VLEN.

Pas koalicionit VLEN i cili bëri bashkë pesë parti në zgjedhjet komunale, tash nga e Shtuna e kaluar partia VLEN nisë një hap të këtillë edhe për zgjedhjet parlamentare, si masë konkrete për të evituar humbje/djegie votash të partive të vogla, dhe pra evitimin e humbjes së ulëseve të shqiptarëve në parlament.

Kur koalicioni VLEN u formua, BDI-ja në kundër-përgjegje bëri një përpjekje sado pak të ngjashme, mirëpo jo edhe krejtësisht, sepse në kuadër të AKI u përfshinë edhe partitë e tjera të pakicave, duke tejkaluar konceptin për të cilin vite më parë bënte thirrje pikërisht kreu i BDI-së.

Pas zgjedhjeve komunale shpërthyen ndasitë në AKI. Disa prej partive hoqën dorë nga grupacioni me BDI dhe u larguan për të vazhduar rrugëtimin ndaras. AKI-ja pas “bashkimit” përsëri pësoi një shkapërderdhje, meqë nga aty dolën ASH e Selës dhe PDSH-ja.

Ajo që i ndodhi koalicionit AKI, pra rikthimi në të kaluarën, deri diku edhe mund të jetë e kuptueshme nëse shikohet kohëzgjatja e disa prej këtyre partive. Këtu mund të bëhet përjashtim Partia Demokratike Evropiane e Arjanit Hoxhës, e cila u shkri në strukturat e BDI-së.

Në të njëjtën kohë, partitë e grumbulluara tek VLEN-i e vazhduan këtë nismë, por edhe përtej një koalicioni me qëllim për t’u shndërruar në një parti të vetme, gjë që nuk ishte rasti tek koalicioni AKI i dominuar nga BDI.

Nga VLEN doli ASH e Taravarit, por të tjerët mbetën, përfshirë edhe një pjesë e ASH-së së tij.

VLEN-i vazhdon rrugëtimin në formë të re

Procese të këtilla të bashkimit në një subjekt politik e në një shtëpi poilitike të vetme nuk janë të lehta, sidomos kur partitë dhe krerët e tyre kanë krijuar identitet politik një kohë të gjatë në skenën publike.

E ardhmja do të dëshmojë se sa VLEN është përgjegje e duhur ndaj ndasive të politikanëve e që për pasojë e ndanë në dhjetëra vende edhe votën e votuesëve shqiptarë.

VLEN ndërkohë do të duhej të jetë edhe testim i vërtetë e hedhjes tutje të egos së politikanëve në shërbim të një trupi unik partiak.

Shndërrimi në një parti unike me një strukturë të vetme vendimarrëse, përkatësisht me më pak procedura e pra të thjeshtësuara, është më efikase në të gjitha aspektet, dhe më e fuqishme.

Edhe pse kaloi 9 Maji i VLEN-it të vjetër e krijimi i VLEN-it të ri, sfidave të brendshme do t’iu duhet edhe pak kohë për t’u përballuar e tejkauar krejtësisht.

Formula e dy kryetarëve, e dy nën-kryetarëve duket të jetë një proces urë-kalimi.

Koha do të tregojë nëse edhe kjo pjesë e strukturave të reja të VLEN-it do të jetë kalimtare apo e përhershme.

Një bashkim me një formulë të këtillë e bënë VLEN-in me efikas, më të shpejtë, më të fuqishëm e më të respektuar. Po aq edhe përgjegjësitë e VLEN-it të ri rriten e shtohen.

Por tash për tash dhe në të njëjtën kohë, vendimi për shkrirje në një parti, e arrinë synimin madhor të kahmotshëm, atë të ruajtjes së votës së votuesëve shqiptar nga copëzimi, përkatëisht djegia, shkruan zhurnal.mk. / Zhurnal.mk .

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër