ZKA: Komuna e Prishtinës dështoi në menaxhimin e mbeturinave, operatorët privatë i kushtuan më shtrenjtë

Nga D. V.
565 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 18 maj, Zhurnal.mk – Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të jetë as efikase dhe as efektive në grumbullimin e mbeturinave, ndërsa një nga gjetjet më shqetësuese të auditimit ka qenë dështimi i pothuajse të gjitha hallkave të mbikëqyrjes institucionale, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën për media ku u shpalos Plani Vjetor Auditues 2025/26, Spanca tha se Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditim të performancës për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, për shkak të interesit publik dhe situatës së krijuar në Prishtinë.

“Për shkak të interesit publik dhe gjendjes së krijuar në Komunën e Prishtinës lidhur me menaxhimin e mbeturinave, ZKA-ja ka kryer auditimin e performances “Efikasiteti dhe efektiviteti i grumbullimit të mbeturinave të amvisërisë në kryeqytet”. Raporti është dërguar sot në Kuvendin e Republikës se Kosovës dhe tek palët e audituara dhe i njëjti do të publikohet nesër në faqen zyrtare të ZKA-së. Për njoftimin tuaj, tani po i shpalosim rezultatet kryesore të këtij auditimi. Rezultatet e auditimit kanë treguar se Komuna nuk ka arritur të jetë efikase as efektive në grumbullimin e mbeturinave gjatë viteve të fundit. Një nga gjetjet më shqetësuese të raportit është dështimi i pothuajse të gjitha hallkave të mbikëqyrjes institucionale. Ky proces kishte dështuar të realizohej pothuajse në të gjitha nivelet nga të gjitha palët”, tha ajo.

Spanca tha se bordi i KRM “Pastrimi” nuk ka ushtruar mbikëqyrje efektive ndaj kompanisë dhe nuk është marrë me problemet kryesore të mbeturinave në qytet.

“Një nga gjetjet më shqetësuese të raportit është dështimi i pothuajse të gjitha hallkave të mbikëqyrjes institucionale. Ky proces kishte dështuar të realizohej pothuajse në të gjitha nivelet nga të gjitha palët. Disa nga shkaqet që i kanë kontribuar kësaj gjendjeje janë, Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi”, që është përgjegjës për vendimet strategjike dhe mbikëqyrjen e Kryeshefit Ekzekutiv, nuk ka ushtruar mbikëqyrje efektive mbi veprimtarinë e KRM-së, sepse në takimet e Bordit nuk ishte trajtuar pothuajse asnjëherë problematika aktuale e mbeturinave në qytet. Në vend të kësaj Bordi ishte marrë me çështje tjera si çështje financiare dhe administrative”, tha ajo.

Ajo shtoi se numri i kamionëve aktivë për mbledhjen e mbeturinave ka rënë vazhdimisht dhe se kompania nuk ka realizuar planet investive për zëvendësimin e tyre.

“Sipas planit operativ, në kryeqytet nevojiten deri në 31 kamionë aktivë në ditë për të mbuluar tërë territorin. Megjithatë, numri i kamionëve në dispozicion ka rënë vazhdimisht: nga 28 në vitin 2023, në 25 në vitin 2024. Në muajin tetor 2025, nga 31 kamionë sa i ka kompania, 18 prej tyre ishin në proces rregullimi. Kjo ka ndodhur për shkak të dështimit të KRM për të realizuar planet investive për zëvendësimin e kamionëve”, tha ajo.

Sipas saj, edhe kamionët e rinj të blerë nga Komuna janë dorëzuar me vonesa dhe nuk janë vënë menjëherë në funksion.

“Edhe pse Komuna bleu 8 kamionë të rinj në vitin 2024, ata u dorëzuan me vonesë. Gjashtë kamionë janë dorëzuar me 20 ditë vonesë nga data e nënshkrimit të marrëveshjes, ndërsa dy kamionët e tjerë, ndonëse të pranuar njëkohësisht me të tjerët, janë vënë në shfrytëzim të KRM “Pastrimi” gjashtë muaj pas blerjes”, tha ajo.

Spanca deklaroi se qindra kontejnerë të blerë nga Komuna kanë mbetur të papërdorur, ndërsa shumë të tjerë janë dëmtuar për shkak të mungesës së njohurive të stafit.

“Komuna kishte lidhur dy kontrata brenda vitit 2024 për furnizim me kontejnerë në vlerë afër 747 mijë euro, të dedikuar për KRM Pastrimi. Deri në tetor 2025 në KRM Pastrimi janë pranuar gjithsej 2,883 kontejnerë nga gjithsej 3,840 sa ishin blerë. Për momentin janë afër 900 kontejnerë dhe shporta të cilat ende nuk janë shpërndarë nëpër pika të grumbullimit të mbeturinave dhe vazhdojnë të qëndrojnë të papërdorur (në Qendrën e Kompostimit). Në shumë pika të grumbullimit vërehen kontejnerë të dëmtuar të cilët janë jashtë funksionit. Këta kontejnerë nuk largohen dhe nuk zëvendësohen me të rinj. Dëmtimi i këtyre kontejnerëve shpesh ka ndodhur nga pakujdesia dhe mungesa e njohurive të stafit gjatë zbrazjes. Stafi operativ nuk ka pasur njohuri të mjaftueshme për përdorimin dhe zbrazjen e kontejnerëve duke shkaktuar dëmtime të shpeshta”, tha ajo.

Ajo theksoi se angazhimi i operatorëve privatë për grumbullimin e mbeturinave i ka kushtuar më shumë Komunës së Prishtinës krahasuar me KRM “Pastrimi”.

“Angazhimi i Operatorëve Privatë i ka kushtuar Komunës më shtrenjtë. Deri në vitin 2024, KRM ‘Pastrimi’ ishte e vetmja kompani përgjegjëse për mbledhjen e mbeturinave në Kryeqytet. Në prill të vitit 2024 Komuna angazhoi operator privat për grumbullim të mbeturinave, krahas KRM “Pastrimi”. Operatori privat ishte më i kushtueshëm me rreth 10 euro/ton krahasuar me Kompaninë Publike, duke rritur kostot e Komunës për grumbullim të mbeturinave për 149 mijë euro, për periudhën prill-dhjetor 2024. Çmimi ka rezultuar 61.88 euro/ton për KRM “Pastrimi” ndërsa 71.15 euro/ton për OE privat. Pavarësisht kontraktimit të OE-ve privat, Komuna nuk kishte arritur të bëjë përmirësime të dukshme sa i përket grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet. Për informimin tuaj, Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje lidhur me konkluzionet dhe rekomandimet e auditimit ndërsa KRM “Pastrimi” është pajtuar me konkluzionet dhe rekomandimet tona”, tha ajo.

Auditorja e Përgjithshme bëri të ditur se gjatë këtij sezoni auditues janë planifikuar 145 auditime dhe deri tani janë publikuar 24 raporte.

“Në këtë sezon audituese, janë planifikuar 145 auditime. Deri më sot, kemi publikuar 24 raporte të auditimit, prej tyre 22 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë, prej të cilave, 14 të Organizatave Buxhetore dhe 8 ndërmarrje publike, një auditim të performancës dhe një auditim të pasqyrave financiare për qëllime të veçanta”, tha ajo.

Ajo tha se tetë institucione kanë marrë opinion të kualifikuar për shkak të keqdeklarimeve materiale dhe raportimit jo të plotë.

“Për 14 auditimet financiare dhe pajtueshmërisë kemi dhënë 6 opinione të pa modifikuara përkatësisht pozitive për institucionet si: AAC, IAP, ARSHU, KPM, ASHAK dhe RTK-në. Ndërsa 8 institucione kanë opinionin e modifikuar përkatësisht të kualifikuar (jo të mira) si: MAPL, AMIK, Gjilani, Graçanica, Shtimja, Istogu, Lipjani dhe ASHNA. Opinionet jo të mira për këto institucione janë dhënë për arsye se janë gjetur keqdeklarime materiale që ndërlidhen me raportimin jo të plotë dhe të saktë të pasurive, llogarive të arkëtueshme, keçklasifikimin e shpenzimeve e të cilat në masë të konsiderueshme në komuna ndërlidhen me vendime gjyqësore si rezultat i marrëveshjes kolektive”, tha ajo.

Sipas Spancës, edhe ndërmarrjet publike kanë shfaqur mangësi serioze në raportimin financiar.

“Opinionet jo të mira edhe për këto ndërmarrje janë dhënë për arsye se janë gjetur keqdeklarime materiale që ndërlidhen me: raportimin jo të plotë dhe të saktë të pasurive, llogarive të arkëtueshme, mos shpalosje të detyrimeve kontigjente dhe shpalosje jo adekuate të informacioneve, nënvlerësim apo mbivlerësime të zërave të caktuar në pasqyra financiare, etj. Fakti që 8 nga 10 ndërmarrje të audituara kanë marrë opinion negativ tregon që këto ndërmarrje ende nuk kanë arritur të vendosin kontrolle adekuate për raportim financiar. Deri me 30 qershor pritet te publikohet edhe raporti i auditimit për KEK dhe Trepçën”, tha ajo.

Ajo renditi edhe një sërë shkeljesh dhe mangësish të gjetura në institucionet publike dhe ndërmarrjet.

“Mangësi ne procedurat e prokurimit publik përkatësisht vlerësimin e ofertave, shpërblimi me kontratë i OE pa i plotësuar kriteret në dosjen e tenderit, përdorimi i referencave ndaj një marke brendi të caktuar pa përdorimin e shprehjes ekuivalent. Mangësi në përgatitjen e para masës në projektet kapitale. Mos zbatimi i procedurave të prokurimit publik me rastin e angazhimit të punonjësve për shërbime të veçanta. Ndryshime të ndarjeve buxhetore për projekte kapitale pa miratim të Kuvendit Komunal. Lidhja e 6 kontratave në vlerë prej 50 mijë euro për shfrytëzimin e hapësirave reklamuese nga mediat portalet pa procedura të prokurimit publik. Vonesa në implementimin e projekteve kapitale dhe mos zbatimin e ndëshkimeve për vonesa. Mos pagesa e faturave/obligimeve ndaj operatorëve ekonomik brenda afatit ligjor. Mungesa e monitorimit të subvencioneve të dhëna në fushën e bujqësisë. Përzgjedhja e OJQ-ve në kundërshtim me kriteret në Thirrjen Publike. Angazhimi i shërbimeve të auditimit nga auditori privat, për kundër faktit se ndërmarrja ishte subjekt i auditimit nga ZKA. Mos përditësimi i kontratave të të punësuarve,bazuar në vendimet e Bordit, për rritjen e pagës dhe vlerën e saktë të shujtës. Mbajtja e pozitave të rregullta me ushtrues detyre përtej afatit ligjor. Mos menaxhimi i kontratave përmes platformës së prokurimit elektronik (E-prokurimi). Mos hartimi dhe përditësimi i rregulloreve sipas kërkesave ligjore për afarizmin e ndërmarrjes”, tha ajo.

Në fund, Spanca bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë dërguar 80 raste në Prokurorinë e Shtetit.

“Në përputhje me Ligjin nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe konform Marrëveshjes për Bashkëpunim ndërmjet ZKA-së dhe Prokurorisë së Shtetit, Departamenti për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit në kuadër të ZKA-së, gjatë vitit 2025, ka dërguar 80 raste në Prokurorinë e Shtetit”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër