Pas rikonfirmimit në krye të PD-së, Berisha pret zyrtaren e lartë të PPE: Shqiptarët e kanë vendin në BE

Nga Xh M
312 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 maj Zhurnal.mk – Pas rikonfirmimit në krye të PD-së, Sali Berisha priti në një takim Sekretaren e Përgjithshme të Partisë Popullore Europiane (PPE) dhe eurodeputeten, Dolors Montserrat. Sipas njoftimit për mediet nga zyra e shtypit e PD, në fillim të takimit, Montserrat uroi Berishën për rikonfirmimin si kryetar i Partisë Demokratike, si dhe për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit Kombëtar që mbahet këtë të shtunë.

“Diskutuam në një atmosferë shumë miqësore dhe konstruktive për zhvillimet politike në Shqipëri, sfidat me të cilat përballet demokracia në vend, si dhe për rrugëtimin europian të shqiptarëve”, informoi Berisha. Gjatë takimit, Berisha theksoi se ëndrra e përhershme e shqiptarëve ka qenë integrimi europian dhe aspirata për ta parë Shqipërinë si pjesë të denjë të familjes europiane.

“Shqiptarët e meritojnë plotësisht integrimin në Bashkimin Europian, por korrupsioni sistemik, kapja e institucioneve dhe narkoregjimi kanë mbetur pengesa serioze për përmbushjen e standardeve europiane”, u shpreh ai. Sipas njoftimkt, gjatë bisedës, Berisha dhe Montserrat ndanë shqetësimin për largimin masiv të të rinjve shqiptarë, dobësimin e shtetit ligjor dhe nevojën urgjente për zgjedhje të lira e të ndershme, si themel i një demokracie funksionale.

Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë të çmuar që Dolors Montserrat dhe Partia Popullore Europiane i kanë dhënë Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve.

Solidariteti dhe mbështetja e PPE, sipas Berishës, kanë qenë jetike në betejën për demokraci, pluralizëm dhe vlera europiane. Ai falënderoi po ashtu Montserrat për miqësinë, bashkëpunimin dhe angazhimin e saj të palëkundur në mbështetje të shqiptarëve dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe: Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, Albana Vokshi, kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas, si dhe Enri Çeno, sekretar i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër