Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” merr njohje ndërkombëtare

Nga D. V.
516 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” tashmë është e njohur ndërkombëtarisht, një zhvillim që e ka cilësuar si “arritje të rëndësishme dhe historike për ekonominë e Republikës së Kosovës”.

Sipas OEK-ut, në Paris, institucioni është “akredituar zyrtarisht nga Oda Ekonomike Ndërkombëtare dhe Federata Botërore e Odave Ekonomike për lëshimin e Certifikatave të Origjinës me njohje globale”.

“Ky proces përfaqëson rezultat të një pune të gjatë institucionale dhe profesionale, me qëllim forcimin e pozitës së Kosovës në tregtinë ndërkombëtare dhe rritjen e besueshmërisë së produkteve kosovare në tregjet globale”, thuhet në komunikatë.

Oda Ekonomike thekson se me këtë akreditim, për herë të parë në historinë e vendit, certifikatat e origjinës të lëshuara nga ky institucion do të kenë vlefshmëri të njohur ndërkombëtarisht.

“Për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, Certifikatat e Origjinës të lëshuara nga Oda Ekonomike e Kosovës do të kenë validitet ndërkombëtar të pranuar, duke mundësuar një prezantim më të fuqishëm të produkteve vendore në tregjet botërore”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas OEK-ut, ky hap strategjik pritet të kontribuojë në forcimin e eksportit të produkteve kosovare, rritjen e kredibilitetit ndërkombëtar të bizneseve vendore, digjitalizimin dhe modernizimin e shërbimeve tregtare, si dhe në mbështetjen e drejtpërdrejtë të prodhuesve dhe eksportuesve të Kosovës.

“Ky zhvillim shënon një moment të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe hap perspektiva të reja për integrimin më të thellë të Kosovës në tregjet ndërkombëtare”, përfundon komunikata e Odës Ekonomike të Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër