Mickoski: Po BE-së por nuk do të sakrifikojmë dinjitetin kombëtar

Nga I.A
849 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tivat, 5 qershor, Zhurnal.mk Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimeve me liderët evropianë në Tivat, deklaroi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) është sërish aktual dhe se vendi mbetet i përkushtuar ndaj integrimeve evropiane, por pa bërë lëshime nga dinjiteti kombëtar, raporton Anadolu, transmeton Zhurnal.

Mickoski informoi se ka zhvilluar takim konstruktiv me kancelarin gjerman Friedrich Merz, ku kanë diskutuar për perspektivën evropiane të vendit dhe procesin e zgjerimit të BE-së.

“Këto janë momente kur Bashkimi Evropian qartë thotë se procesi i zgjerimit po bëhet i gjallë. Detyra jonë si qeveri është ta ruajmë dhe ta avancojmë këtë proces, por njëkohësisht të mos e humbasim dinjitetin, siç ka ndodhur në dekadat e kaluara kur bëhet fjalë për aspiratat maqedonase për anëtarësim në BE”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se qëllimi i qeverisë së tij është që Maqedonia e Veriut të bëhet shtet që do të realizojë më së shumti reforma, duke mbetur e fokusuar në agjendën evropiane dhe ruajtjen e interesave kombëtare. “Patëm një takim mjaft konstruktiv. Jam shumë i kënaqur me bisedën”, tha kryeministri, duke iu referuar takimit me kancelarin gjerman.

Mickoski shprehu kënaqësi edhe për bisedimet me presidentin francez Emmanuel Macron dhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Sipas tij, në takime janë hapur edhe çështjet lidhur me ndryshimet kushtetuese.

Ai përsëriti se qëndrimi i Qeverisë për këtë çështje mbetet i pandryshuar, duke shtuar se një pjesë e madhe e vendeve anëtare të BE-së i kuptojnë pozicionet e Maqedonisë së Veriut.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse mund të pritet përparim në procesin e anëtarësimit, Mickoski tha se është inkurajuese që liderët e vendeve anëtare po dërgojnë mesazhin se procesi i zgjerimit është sërish aktiv. “Procesi i zgjerimit është i gjallë dhe është mirë që sot këtë mesazh po e dërgojnë liderët e vendeve anëtare”, deklaroi Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër