LVV fton qytetarët në shënimin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Nga D. V.
915 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 10 qershor, Zhurnal.mk – Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët që më 10 qershor të marrin pjesë në aktivitetet për shënimin e 148-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilat do të organizohen në Prizren.

Përmes një postimi, LVV ka bërë të ditur se aktivitetet do të nisin nga ora 17:00 në sheshin e Lidhjes dhe do të vazhdojnë gjatë pasdites dhe mbrëmjes.

“Lidhja është gjallë. 148-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lëvizja VETËVENDOSJE! me 10 qershor ju fton ta shënojmë së bashku këtë përvjetor në Prizren. Aktivitetet fillojnë prej ora 17.00 tek sheshi i Lidhjes dhe vijojnë përgjatë pasdites e mbrëmjes”, thuhet në njoftim.

LVV ka rikujtuar rëndësinë historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke theksuar se ajo përbën organizimin e parë politik mbarëshqiptar në mbrojtje të trojeve shqiptare.

“Më 10 qershor 1878, në Prizren përfaqësues shqiptarë nga katër vilajetet u mblodhën për t’iu kundërvënë vendimeve që po përgatiteshin në Kongresin e Berlinit dhe që rrezikonin copëtimin e trojeve shqiptare. Nën udhëheqjen e Abdyl Frashërit dhe patriotëve të tjerë, Lidhja u bë organizata e parë politike mbarëshqiptare, duke kërkuar bashkim dhe vetëqeverisje për shqiptarët”, thuhet më tej.

Sipas Vetëvendosjes, Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënoi fillimin e një etape të re në historinë kombëtare shqiptare dhe vazhdon të mbetet simbol i unitetit kombëtar.

“Ky ishte hapi i parë i madh nga mbrojtja e trojeve drejt programit politik kombëtar që do të udhëhiqte Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Prandaj, 148 vjet më pas, Lidhja mbetet shenjë e bashkimit, organizimit dhe vetëdijes sonë kombëtare. Ideal kombëtar për secilin brez, për secilin shqiptar kudo ku jeton”, theksohet në postim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër