Makpetroll para një bojkoti masiv nga shqiptarët, pas denoncimit të rastit nga Zhurnal ku kjo kompani i “pushkaton” shqiptarët si partnerë!

Nga I.A
2,331 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 qershor, Zhurnal.mk – Pas publikimit të rastit nga Zhurnal ku u dokumentua refuzimi i bashkëpunimit me një kompani shqiptare, reagimi i opinionit publik shpërtheu. Qindra shqiptarë deklaruan hapur se nuk do të mbeten klientë të një biznesi që shqiptarët i “rrjep” por kur vjen puna për bashkëpunim i injoron. Ky reagim nuk ka të bëj vetëm me komente në rrjete sociale por me një sërë mesazh që kemi pranuar ku jepet një paralajmërim i qartë se injorimit të kësaj natyre duhet përgjigjur vetëm me “bojkot”, shkruan Zhurnal.

Makpetroll përbuz bizneset shqiptare

Makpetroll ka ndërtuar rrjetin e saj në çdo cep të Maqedonisë së Veriut duke u vendosur edhe në vendbanime tërësisht shqiptare. Konsumatori shqiptar është oksigjeni i saj ekonomik. Por kur vjen puna te bashkëpunimi me kompani shqiptare, dera mbyllet me një refuzim të ftohtë dhe enigmatik pa kurrfarë shpjegimi. Këtë rast e ka denoncuar kompani shqiptare me dëshmi dhe fakte në redaksinë Zhurnal.

Kjo është një hipokrizi se të përfitosh nga shqiptarët si klientë, por t’i përjashtosh si partnerë nuk mundet. Një politikë e tillë nuk është vetëm e padrejtë është ofenduese dhe shkatërruese për besimin.

Bojkoti si arma e vetëdijes kolektive

Reagimi i shqiptarëve pas shkrimit të Zhurnalit është një thirrje e fuqishme që nëse nuk na respekton si partnerë, nuk do të na kesh as si klientë. Bojkoti i derivateve të Makpetroll nuk është hakmarrje, por një mjet i domosdoshëm për barazi ekonomike.

Një kompani që injoron partneritetin me shqiptarët nuk meriton të mbijetojë falë përfitimit të tyre. Ky është një mesazh i qartë respekti nuk blihet me derivate por fitohet me partneritet të ndershëm.

Kujtojmë që, një kompani që synon të jetë e qëndrueshme nuk mund të ndërtojë strategji mbi përjashtimin e një komuniteti të tërë biznesesh. Përkundrazi, bashkëpunimi me kompani shqiptare është garanci për stabilitet, besueshmëri dhe rritje afatgjate.

Makpetroll duhet ta kuptojë një gjë nuk mund të ushqehet nga shqiptarët si klientë, ndërkohë që i përbuz si partnerë. Nëse kjo politikë vazhdon, bojkoti nuk do të mbetet vetëm fjalë do të kthehet në realitet, dhe atëherë Makpetroll do të përballet me pasojat e një strategjie të gabuar.

Prandaj, shqiptarët nuk janë thjesht konsumatorë janë forcë ekonomike. Dhe kur kjo forcë vendos të mos shfrytëzohet, çdo kompani që i injoron do të ndjejë goditjen e parë në xhepin e vet.

Makpetroll nuk e njeh as gjuhën shqipe

Një çështje tjetër që shpesh është ngritur nga qytetarët shqiptarë ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe në pikat e shitjes së Makpetrollit. Në shumë prej stacioneve të derivateve, informacionet në pikëpagesa, udhëzimet dhe komunikimet me klientët janë të disponueshme vetëm në gjuhën maqedonase.

Është e vërtetë se kjo mund të mos përbëjë domosdoshmërisht shkelje ligjore, por kompanitë e mëdha nuk duhet të udhëhiqen vetëm nga minimumi që kërkon ligji. Ato duhet të udhëhiqen edhe nga standardet e përgjegjësisë shoqërore dhe respektit ndaj klientëve të tyre.

Makpetroll operon në mbarë territorin e Maqedonisë së Veriut dhe një pjesë e konsiderueshme e klientëve të saj janë shqiptarë. Pikërisht për këtë arsye, përdorimi i gjuhës shqipe krahas asaj maqedonase në informacionet për konsumatorët do të ishte një shprehje respekti ndaj një komuniteti që kontribuon çdo ditë në suksesin ekonomik të kompanisë.

Vendosja e përshkrimeve, njoftimeve dhe udhëzimeve në dy gjuhë nuk do të ishte vetëm një veprim simbolik. Ajo do të dërgonte një mesazh të qartë se kompania i konsideron të gjithë klientët e saj të barabartë dhe të rëndësishëm, pavarësisht përkatësisë etnike apo gjuhësore.

Në fund të fundit, respekti ndaj konsumatorit nuk matet vetëm me cilësinë e shërbimit apo produktit, por edhe me gatishmërinë për t’i bërë ata të ndihen të përfaqësuar dhe të vlerësuar. Për një kompani të përmasave të Makpetrollit, komunikimi dygjuhësh do të ishte një hap i natyrshëm drejt forcimit të besimit dhe afërsisë me të gjithë klientët e saj. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër