Tiranë, 15 qershor, Zhurnal.mk – Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, raportoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2025, ku u evidentua rritje e ngarkesës së punës në sistemin e prokurorisë dhe përmirësim i treguesve të efikasitetit në ndjekjen penale.
Gjatë prezantimit të raportit, Çela bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë trajtuar 66,397 materiale në shqyrtim, me rritje 8,55% krahasuar me vitin 2024, ndërsa janë ndjekur 50,121 procedime penale, në rritje 5,35%. Janë regjistruar 27,077 procedime të reja, ndërsa janë vendosur 16,276 mosfillime për referime dhe kallëzime penale.
Nga analiza e shpërndarjes gjeografike, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë mban peshën më të madhe të ngarkesës me 36,62% të procedimeve në shkallë vendi, e ndjekur nga Durrësi, Korça, Shkodra dhe qarqet e tjera.
Koeficienti i kriminalitetit për vitin 2025 rezulton 1145 për 100,000 banorë, nga 1037 në vitin 2024. Sipas grupveprave penale, 76% e procedimeve lidhen me krime dhe 24% me kundërvajtje, ndërsa veprat kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë grupin më të madh me 33% të totalit.
Në aspektin e efikasitetit, gjatë vitit 2025 janë përfunduar 24,491 çështje, nga të cilat 42,46% janë dërguar për gjykim, 27,58% janë pushuar, 27,78% pezulluar dhe 2,18% transferuar. Në gjykatë janë dërguar 10,399 çështje me 12,249 të pandehur.
Cëela theksoi se, raporti evidenton gjithashtu rritje të numrit të të dënuarve me 9%, ndërsa janë regjistruar 10,903 vendime dënimi dhe 375 vendime pafajësie. Në ekzekutimin e vendimeve penale, janë realizuar 5,083 vendime, ndërsa 1,230 mbeten të paekzekutuara.
Në fushën e hetimeve proaktive dhe përdorimit të mjeteve të posaçme, janë realizuar 356 procedime penale, me 236 persona të arrestuar ose ndaluar, si dhe janë ekzekutuar 822 vendime përgjimi dhe 406 autorizime të prokurorit.
Në bashkëpunimin ndërkombëtar, Prokuroria e Përgjithshme raporton rritje të ekstradimeve me 28% dhe letërporosive me 24%, si dhe pjesëmarrje aktive në 27 skuadra të përbashkëta hetimore në kuadër të Eurojust.
Në fushën e dekriminalizimit janë verifikuar 121 subjekte, ndërsa 20 raste janë referuar për ndjekje penale për dyshime për deklarim të rremë.
Raporti vlerëson gjithashtu përmirësime infrastrukturore në disa prokurori të vendit, ndërkohë që mbeten sfida në Tiranë dhe Sarandë, si dhe vijon puna për digjitalizimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve.
Çela përcaktoi si prioritete për vitin 2026 forcimin e hetimeve për krimet kundër personit dhe pronës, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe rritjen e transparencës dhe eficiencës së sistemit të drejtësisë penale.
