Tetovë, 16 qershor Zhurnal.mk – Posta e Tetovës është pajisur me pesë automjete të reja, një investim që synon të përmirësojë ndjeshëm cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve postare për qytetarët dhe bizneset në rajon.
Drejtori i Postës së Maqedonisë, Orhan Kurtishi, tha se ky hap vjen pas analizave të nevojave në terren dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm për modernizimin e kapaciteteve operative të Postës në Tetovë.
“Në Tetovë kemi vendosur si menaxhment t’i ndajmë pesë vetura për nevojat e shërbimeve postare. Deri tani kanë pasur vetëm tri vetura të vjetra, ndërsa tani disponojnë edhe pesë automjete të reja. Sipas analizave tona, ky numër është i mjaftueshëm për të siguruar një funksionim më efikas dhe më efektiv të shërbimeve postare”, deklaroi Kurtishi.
Sipas Postës së Maqedonisë, mungesa e mjeteve të punës ka qenë për vite me radhë një nga sfidat kryesore me të cilat është përballur njësia e Tetovës. Me automjetet e reja pritet përshpejtim i shpërndarjes së dërgesave, përmirësim i kushteve të punës për punonjësit dhe rritje e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Ky investim konsiderohet pjesë e përpjekjeve për modernizimin e rrjetit postar dhe përmirësimin e funksionimit të tij në të gjithë vendin.
