Prishtinë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka vazhduar përplasjen publike me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke hedhur akuza të reja në adresë të tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mihali e akuzoi Ramën për korrupsion, keqmenaxhim dhe për, siç pretendon ajo, lidhje me grupe të interesit.
“Shumëkush këto ditë pyet pse shkruan ky kur e di sa thellë është i zhytur? Nuk ka rrugë tjetër. I duhet patjetër të ripërtypë rrenat që thuhen e stërthuhen me sponsorizim të krimit”, ka shkruar Mihali.
Ajo ka mohuar se është pyetur ndonjëherë nga Prokuroria për Martin Berishajn.
“Të kanë informuar gabim për prokurorinë. Nuk kanë çka më pyesin për profesor Martin Berishajn. Dhe as më kanë pyetur kurrë”, ka deklaruar ajo.
Në reagimin e saj, Mihali përmendi edhe çështje që lidhen me menaxhimin e Komunës së Prishtinës, pasurinë, proceset përmbarimore dhe projektet e premtuara nga Rama, përfshirë tramvajin elektrik.
Në fund, ajo paralajmëroi se do të vazhdojë përballjen politike me kryetarin e Prishtinës.
“Çdo ditë do të jem duke punuar, bashkë me mijëra aktivistë të tjerë që të të shohim ty me pranga në duar e para gjykatës”, ka shkruar Mihali.
Përplasja mes Ramës dhe Mihalit ka vazhduar ditëve të fundit përmes rrjeteve sociale.
