Qendra shëndetësore verore në Currila, shërbim profesional për pushuesit

Nga D. V.
577 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 korrik, Zhurnal.mk –Qendra shëndetësore verore në Currila, Durrës vijon të ofrojë shërbim mjekësor për pushuesit dhe vizitorët, duke garantuar kujdes shëndetësor të shpejtë dhe cilësor pranë zonave më të frekuentuara të qytetit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, informon se në këtë qendër, ekipet mjekësore janë në shërbim 24/7 për t’u kujdesur për shëndetin e pushuesve vendas, të huaj dhe banorëve të zonës.

Një prej mjekëve të kësaj qendre shëndetësore, shprehet se qëllimi është ofrimi i një shërbimi cilësor dhe profesional si për pushuesit vendas dhe të huaj, por edhe për banorët e zonës.

“Risi për këtë vit është aplikimi i tarifave të unifikuara për pushuesit e huaj, ndërsa ne jemi në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë kohës”, tha ajo.

Ndërsa, disa pacientë shprehen të kënaqur për shërbimin e marrë në këtë qendër shëndetësore verore.

“Stafi mjekësor është shumë i gatshëm, i papërtueshëm. Jemi shumë të kënaqur”, shprehen ata.

Në zonat turistike të vendit janë hapur 29 qendra shëndetësore, për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët që do të frekuentojnë Shqipërinë këtë sezon veror.

Barnat dhe materialet mjekësore në këto qendra janë të garantuara, ndërkohë që qytetarët mund të telefonojnë edhe Urgjencën Kombëtare (127) për çdo emergjencë shëndetësore.

Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjoll, Shëngjin e Tale në Lezhë. Në Durrës funksionojnë 4 qendra shëndetësore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalëzit, Currila, Plazhi i Vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24-orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit.

Në rajonin e jugut funksionojnë këto qendra shëndetësore verore: Në Pogradec; në Lushnjë në plazhin e Divjakës; Në Fier në plazhin e Darëzezës; Në Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i Vjetër Vlorë, Radhimë, Orikum; Në Bashkinë Himarë: Palasë, Dhërmi, Drimadhes, Himarë, dhe Qeparo. Në Sarandë në plazhet Borsh, Ksamil i vjetër dhe Ksamil i Ri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër