Morina, 8 gusht Zhurnal.mk – Mbi 76 mijë e 700 shtetas kanë hyrë dhe kanë dalë përmes pikës kufitare të Morinës vetëm në 12 orët e fundit.
Shifra shënon ditën me fluksin më të lartë të lëvizjeve përgjatë këtij viti, në një periudhë kur sezoni turistik ka arritur kulmin.
Pushues nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vendet e rajonit po i drejtohen Shqipërisë për pushimet verore, ndërsa në rritjen e lëvizjeve po ndikon edhe mbërritja e diasporës.
Sipas të dhënave zyrtare, në 12 orë janë regjistruar 41 mijë e 183 hyrje dhe 35 mijë e 584 dalje.
Pavarësisht fluksit të lartë, në Morinë nuk janë krijuar radhë. Aktualisht pika kufitare po operon me 12 sportele, ndërsa për shtetasit shqiptarë dhe kosovarë vijon lëvizja e lirë.
Shqipëria mbetet një prej destinacioneve të preferuara për turistët dhe emigrantët, jo vetëm për plazhet, por edhe për natyrën dhe bukuritë që ofron, raporton Top Channel.
Procedurat e kalimit kufitar dhe orientimi i automjeteve në rrugët e vendit, sipas pushuesve, po zhvillohen në përputhje me rregullat evropiane.
