Lamallari: Rishikojmë kriterin e moshës për pranimin në shërbimin zjarrfikës

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 shtator, Zhurnal.mk – Të rinjtë shqiptarë që shërbejnë në strukturat zjarrfikëse të vendeve të Bashkimit Europian do të kontribuojnë në rishikimin tërësor të kuadrit ligjor të shërbimit zjarrfikës në Shqipëri, përfshirë edhe rishikimin e kriterit të moshës për pranimin në këtë shërbim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me disa profesionistë shqiptarë që prej vitesh ushtrojnë detyrën e zjarrfikësit në Finlandë dhe Gjermani, si dhe me të rinj të apasionuar pas këtij profesioni, me fokus përmirësimin e mëtejshëm të shërbimit zjarrfikës në vend.

“Kemi nisur punën për përmirësimin e bazës ligjore për një sistem sa më efektiv, parandalues dhe mbrojtës kundër zjarrit në vend, përfshi dhe rishikimin e kriterit moshor për pranimin në shërbim”, u shpreh Lamallari.

Në takim u diskutua për nevojën e një rishikimi tërësor të kuadrit ligjor dhe forcimin e kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës, duke përfituar nga përvoja e profesionistëve shqiptarë që punojnë në shërbimet homologe të vendeve të BE-së.

Ministri vlerësoi kontributin dhe përvojën e Albanit, Bojkenit dhe Angjeles, të cilët shërbejnë në Finlandë, si dhe të Greinit e Luçianos në Gjermani, ndërsa theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve që duan t’i bashkohen këtij shërbimi. Në vijim, bashkëpunimi do të shtrihet edhe në rritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve, shkëmbimit të eksperiencave dhe kontakteve me shërbimet homologe të vendeve ku profesionistët shqiptarë ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Përvoja e diasporës shqiptare dhe njohuritë e profesionistëve që shërbejnë në vendet e BE-së do të shërbejnë si një vlerë e shtuar në procesin e modernizimit të shërbimit zjarrfikës shqiptar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër