Dibra hap dyert për arbëreshët e Vakaricit

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 shtator, Zhurnal.mk – Kohëve të fundit disa komuna italiane, ku jetojnë arbëreshë, kanë shprehur interes për bashkëpunim me Komunën e Dibrës. Një delegacion i lartë i Komunës së Vakaricit nga Italia vizitoi Dibrën dhe zhvilloi një takim vëllazëror me delegacionin e Komunës së Dibrës, të kryesuar nga kryetari Fisnik Mela.

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, informoi se ka pritur në takim një delegacion të arbëreshëve nga Komuna e Vakaricit, të kryesuar nga kryetari Antonio Pomillo. “Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët. Gjithashtu, u shqyrtua mundësia që të fillojnë procedurat për binjakëzimin e dy komunave, si bazë për projekte dhe aktivitete të përbashkëta në të ardhmen”, tha kryetari i Dibrës, Fisnik Mela.

Ai shtoi se takimi paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes Dibrës dhe Vakaricit. Në takimin në fjalë janë përcaktuar edhe afatet e aktiviteteve për një bashkëpunim të ngushtë vëllazëror, me nënshkrimin së shpejti të Memorandumit për binjakëzim.

Pushteti vendor i Dibrës deri tani ka bashkëpunuar me disa komuna të Italisë, ku pjesa më e madhe e popullatës janë arbëreshë. Grupe folklorike arbëreshe kanë marrë pjesë edhe në aktivitete kulturore në Dibër dhe bashkëpunimi mes komunave është vlerësuar si shumë i frytshëm. Pritet që me binjakëzimin e komunave Dibër dhe Vakarici të vendoset një bashkëpunim institucional dhe afatgjatë, me projekte të përbashkëta në kulturë, trashëgimi, turizëm dhe fusha të tjera me interes të ndërsjellë. (V.S)

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër