Nis peticion për ta bërë mbrojtjen e mjedisit prioritet në Maqedoni

Nga Xh M
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 shtator Zhurnal.mk – Është nisur një peticion përmes të cilit qytetarët ftohen të dërgojnë një mesazh të qartë se ajri i pastër, uji i sigurt, menaxhimi i duhur i mbeturinave, mbrojtja e natyrës dhe mjedisi i shëndetshëm duhet të jenë prioritet në Maqedoni.

Në arsyetimin e iniciativës theksohet se kriza ekologjike ndikon drejtpërdrejt në shëndetin, cilësinë e jetës, aftësinë për punë dhe të ardhmen e qytetarëve, por edhe se mjedisi shumë shpesh mbetet në margjinat e debatit publik.

Si një nga problemet më të mëdha veçohet ndotja e ajrit. Sipas të dhënave të cituara nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, me të dhëna deri në vitin 2023, Maqedonia ka normën më të lartë relative të barrës shëndetësore nga ekspozimi ndaj PM2.5 ndërmjet 40 vendeve të përfshira në analizë.

Në iniciativë i referohen edhe një raporti të UNICEF-it nga viti 2026, sipas të cilit 99.9 për qind e fëmijëve në Maqedoni janë të ekspozuar ndaj ndotjes së dëmshme të ajrit, e cila mund të ndikojë në shëndetin, mësimin, zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.

Theksohen edhe pasojat ekonomike të ndotjes. Sipas një hulumtimi të cituar të OECD-së, i realizuar mbi më shumë se 2.5 milionë kompani në Evropë, rritja e përqendrimit të PM2.5 për 1 mikrogram për metër kub lidhet me një rënie mesatare të produktivitetit të punës prej 0.55 për qind.

Përveç ndotjes së ajrit, si probleme përmenden menaxhimi joadekuat i mbeturinave, deponitë ilegale dhe jostandarde, djegia e mbeturinave, rreziqet për tokën dhe ujërat nëntokësore, urbanizimi i pakontrolluar dhe zvogëlimi i sipërfaqeve të gjelbra, si dhe presioni në rritje mbi burimet ujore.

Iniciatorët vlerësojnë se reagimet e deritanishme shumë shpesh janë reduktuar në masa të përkohshme dhe ad hoc. Sipas tyre, subvencionet për kondicionerët inverter dhe masat e ngjashme mund të jenë pjesë e zgjidhjes, por nuk mund të zëvendësojnë vizionin afatgjatë, qasjen sistematike dhe politikat e vazhdueshme.

“Nuk duam që mjedisi të jetë një temë ndaj së cilës reagohet vetëm kur qytetarët e ngrenë zërin. Duam që ai të jetë pjesë e mënyrës se si planifikojmë ekonominë, qytetet, energjetikën, transportin, menaxhimin e mbeturinave, ujërat dhe burimet natyrore”, thuhet në tekst.

Me peticionin kërkohet që vetë qytetarët të tregojnë se sa lart e rendisin mjedisin ndër prioritetet e tyre.

“Ky nuk është peticion për një parti politike, një pushtet apo një institucion. Kjo është një mundësi që qytetarët të dërgojnë një mesazh të thjeshtë dhe të qartë: Po, mjedisi është prioritet për ne”, thuhet në iniciativën e nisur nga aktivistja Dragana Karashova.

Nevojës për një qasje më sistematike ndaj problemeve ekologjike iu referua edhe aktivistja nga sektori civil Ivana Peneva, e cila para nënshkrimit theksoi se zjarret, ndotja, erozioni dhe përmbytjet nuk duhet të trajtohen si probleme të ndara.

Duke iu referuar buletinit më të fundit të Organizatës Botërore Meteorologjike, Peneva thekson se ngjarjet ekstreme me tym nga zjarret sot janë pothuajse tre herë më të shpeshta se në vitet ’90, ndërsa ekspozimi shtesë ndaj tymit lidhet me rreth 100 mijë vdekje të parakohshme në vit gjatë periudhës 2010 deri në 2018.

Ajo thekson se zjarret, përveç shkatërrimit të pyjeve, çlirojnë grimca PM2.5, karbon të zi dhe komponime toksike, ndërsa vegjetacioni i shkatërruar e lë tokën të pambrojtur dhe rrit rrezikun nga erozioni, rrjedhat e rrëmbyeshme dhe përmbytjet.

“Në Maqedoni ende i trajtojmë këto probleme veçmas. Për zjarret flasim gjatë verës, për ndotjen në dimër, ndërsa për erozionin dhe përmbytjet vetëm pasi të ketë ndodhur dëmi. Por natyra nuk funksionon sipas sektorëve institucionalë dhe raporteve vjetore”, thekson Peneva.

Sipas saj, nuk mjafton vetëm të evidentohen hektarët e djegur dhe më pas të mbillen fidanë, por nevojiten vlerësime pas zjarreve të pellgjeve ujëmbledhëse, monitorim i PM2.5 dhe ozonit, hartëzim i shpatieve dhe vendbanimeve të cenueshme, stabilizim i tokës dhe ripërtëritje afatgjatë me lloje të përshtatshme autoktone.

“Mbrojtja e pyjeve është çështje e shëndetit publik, cilësisë së ajrit, ujit, tokës dhe sigurisë së popullsisë. Nëse vazhdojmë të reagojmë vetëm kur shfaqet tymi ose kur uji hyn në shtëpi, atëherë nuk po menaxhojmë rrezikun, por vetëm po paguajmë pasojat”, ka porositur Peneva.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër