Tetov;, 29 shtator Zhurnal.mk – Dy persona nga rajoni i Tetovës kanë pësuar lëndime të rënda trupore në një aksident trafiku të ndodhur në rrugën rajonale Jazhincë–Tetovë, pranë fshatit Dobroshtë.
Sipas informacioneve nga SPB Tetovë, aksidenti ka ndodhur më 28 shtator, rreth orës 13:00, dhe në të janë përfshirë një motoçikletë dhe një automjet i tipit “Golf”, të dyja me targa të Tetovës.
Motoçikletën e drejtonte 41-vjeçari S.M. nga Dobroshti, ndërsa automjeti “Golf” drejtohej nga 34-vjeçari F.I.E., po ashtu nga Dobroshti.
Si pasojë e përplasjes, motoçiklisti S.M. dhe pasagjeri i tij, D.N. nga fshati Gllogjë, kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Të dy janë transportuar për trajtim në Spitalin Klinik të Tetovës, ku u janë konstatuar lëndime të rënda.
Ekip nga SPB Tetovë ka kryer këqyrjen në vendin e aksidentit, ndërsa po ndërmerren veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
