Esposito: Draftkodi i ri Procedurës Penale vendos në ekuilibër paketën e reformave me standardet europiane

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 shtator, Zhurnal.mk – “Përgatitja e Kodit të Procedurës Penale është një nga sipërmarrjet më të rëndësishme të një vendi, pasi përcakton mënyrën e mbledhjes së provave, marrjes në pyetje, kufizimit të lirisë dhe zbatimit të ndëshkimeve penale”, deklaroi Gianluca Esposito, drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Europës.

Duke folur në takimin e zhvilluar sot në Tiranë, në kuadër të prezantimit të Paketës së Re të Garancive në Kodin e Procedurës Penale, Esposito theksoi se një kod i tillë ka një rol të rëndësishëm edhe në përcaktimin e së vërtetës dhe mbrojtjen e viktimave, duke ndihmuar në ruajtjen e besimit të publikut te drejtësia.

“Efektiviteti i luftës kundër krimit nuk matet me pjesëmarrjen e njerëzve që marrin pjesë, por me sasinë e masave që merren”, u shpreh ai.

Esposito tha se kuadri ligjor i Kodit të Procedurës Penale mbështetet në konventat europiane, të cilat përcaktojnë standarde dhe përgjegjësi për sistemet e drejtësisë penale.

“Muajt e fundit, me kërkesë të Kryeministrit, Këshilli i Europës ka dhënë mbështetje për këtë proces, duke ndihmuar për ta përafruar draftin me standardet europiane”, deklaroi Esposito.

Ai vlerësoi procesin e hartimit të paketës së re, duke theksuar se ai përfshin një sërë çështjesh të rëndësishme dhe shprehje të angazhimit për reflektimin e standardeve europiane në legjislacionin penal.

Sipas tij, drafti vendos në ekuilibër paketën e reformave me standardet europiane dhe forcon të drejtat e të akuzuarve dhe mbrojtjen e tyre. Ky proces, tha Esposito, tregon angazhimin e institucioneve shqiptare për përafrimin e sistemit me direktivat e Bashkimit Europian dhe standardet europiane.

“Një kod i mirë penal duhet të jetë një mjet për të parandaluar shkeljet dhe duhet të mbështesë një drejtësi të drejtë dhe të ligjshme. Ne, si Këshill i Europës, do të vazhdojmë t’ju mbështesim sipas nevojës, ndërsa jemi të kënaqur deri këtu ku kemi arritur, që po publikohet drafti i Kodit të Procedurës Penale”, deklaroi Esposito.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër