Editorial / Çfarë pritet nga takimi i dy kryediplomatëve në Sofje – a do duhet edhe kësaj herë një “çekan i fuqishëm” nga Brukseli që të zgjidhen mosmarrëveshjet!

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 tetor, Zhurnal.mk – Ministrat e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë konfirmuar se do të kenë mundësinë të zhvillojnë një takim në kuadër të një forumi të enjten. Temë kryesore do të jetë dialogu dhe zhbllokimi i rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut. Ky takim erdhi si një shans shtesë i kërkuar nga ana e Brukselit zyrtar dhe pritet të definojë qartë nëse do të ketë edhe më tutje ngërçe midis dy vendeve, apo përfundimisht dy palët Shkupi dhe Sofja zyrtare do të ulen për t’u marrë vesh, shkruan “Zhurnal.mk”.

Ministrat e jashtëm dakordësohen për mbajtjen e takimit në Sofje

Ministrat e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, Velislava Petrova dhe Timço Mucunski, do të kenë mundësinë të zhvillojnë një takim në kuadër të një forumi të enjten. Më 8 tetor, në Sofje do të mbahet konferencë ndërkombëtare ministrore mbi Korridorin 8, e organizuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova. Në kuadër të forumit, në të cilin do të marrë pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, do të ketë mundësi të zhvillohet një takim dypalësh, i cili është pjesë e dialogut të rregullt midis dy vendeve.

Presidentja e KE-së e këshilloi Mickoskin t’i japë mundësi dialogut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Shkup e këshilloi kryeministrin Hristijan Mickoski, që gjatë takimit të ardhshëm në Sofje të zhvillohet një takim bilateral me kreun e diplomacisë bullgare në mënyrë që të përpiqej ta rikthente Maqedoninë e Veriut në rrugën e duhur drejt negociatave me BE-në. Një notë zyrtare u dërgua nga MPJ e Maqedonisë së Veriut dhe takimi do të mbahet të enjten.

Takimi në Sofje synon ta zhbllokojë procesin e integrimeve

Nga takimi dypalësh i javës së ardhshme në Sofje midis ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe homologes së tij bullgare, Velislava Petrova-Çamova, pritet të synohet zhbllokimi i ngadrejtë i procesit të integrimit evropian të Shkupit.

Maqedonia e Veriut e sheh këtë takim si hapin e parë për të lëvizur procesin e eurointegrimit nga pika e vdekur. Megjithatë, ministri Mucunski ka deklaruar paraprakisht se edhe pse janë të hapur për dialog, aktualisht nuk ekzistojnë kushtet për ndryshimet kushtetuese (përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë) pa pasur një parashikueshmëri më të qartë dhe përfshirje të BE-së.
Nga ana tjetër, presidentja bullgare Ilijana Jotova dhe Ministria e Jashtme e Bullgarisë kanë shprehur gatishmëri të matur për bisedime. Sidoqoftë, Sofja zyrtare këmbëngul se Shkupi duhet të përmbushë pa kushte detyrimet e marra nga kuadri negociues evropian i vitit 2022 dhe se nuk do të pranojë devijime nga politikat evropiane apo ultimatume.

Edhe kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe nuk pret asgjë nga takimi në Sofje midis ministrave të jashtëm, duke thënë se deri më tani duhet të ishin zhvilluar të paktën 10 takime dhe qeveria përdor gjithçka që bën si justifikim.

Nëse nuk ka një “çekan të fortë” nga BE-ja, gjasat për sukses janë të vogla

Bashkimi Evropian deri më tani po bën presion të vazhdueshëm, të prerë dhe institucional, por jo me natyrë agresive diplomatike. Aktualisht, Bashkimi Evropian e bën të qartë se ndryshimet kushtetuese janë kusht i panegociueshëm për hapjen e kapitujve të parë të negociatave (përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë), megjithatë në Shkup nuk ka një “vesh” që i dëgjon këta mesazhe diplomatike. Gjithashtu Brukseli zyrtar konfirmoi edhe një herë se rruga evropiane e Maqedonisë nuk kërcënon as identitetin dhe as gjuhën e saj.

Gjatë vizitës së saj në Shkup më 2 tetor 2026, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ia përsëriti kryeministrit Hristijan Mickoski se vendit i ka mbetur vetëm një hap i fundit kritik për të hapur zyrtarisht negociatat: ndryshimi i Kushtetutës. Ky qëndrim u përforcua edhe nga eurokomisionerja e re për Zgjerim, Marta Kos, e cila deklaroi se Shkupi zyrtar duhet të përmbushë detyrimet e marra pa vonesa të mëtejshme.

Meqenëse Shqipëria tashmë ka avancuar duke hapur kapitujt e parë të negociatave, Brukseli po përdor këtë dinamikë si një lloj presioni indirekt ndaj Shkupit. Megjithatë, Maqedonia e Veriut rrezikon të mbetet prapa në “udhërrëfyesin” e ri të zgjerimit dhe integrimit gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së nëse nuk zgjidh ngatërresën me Sofjen gjatë kohës së ardhshme.

Qeveria aktuale e VMRO-DPMNE-së ka kërkuar që Brukseli të ndërhyjë si garantues ose ndërmjetës për të shmangur kushtëzimet e reja nga Bullgaria në të ardhmen. Von der Leyen zgjodhi një qasje më elastike duke e këshilluar Mickoskin që të nisë dialogun e drejtpërdrejtë bilateral me Sofjen.

Momentalisht, Brukseli nuk po ushtron një ultimatum me afate të shkurtra kohore, por po mban të bllokuar derën e integrimit: paratë e Planit të Rritjes dhe ecuria drejt anëtarësimit janë të lidhura ngushtë me ndryshimet kushtetuese. Presioni është i madh sepse Maqedonia e Veriut po humb kohë dhe po rrezikon të izolohet politikisht në rajon, e kjo nuk është në të mirë të vendit dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Praktika diplomatike në Ballkan, por edhe në Maqedoninë e Veriut ka treguar se vetëm një agresivitet diplomatik është ajo që i çon përpara proceset. Nëse Brukseli vazhdon me politikën e butë ndaj të dy palëve, Maqedonia e Veriut do të mbetet ende shumë larg rrugës së integrimit. Fatkeqësisht kjo situtatë i shkon për shtati vetëm disa politikanëve që anëtarësimi në BE ua prish bizneset e planet e tyre, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër