Rama: Votimi i reformës territoriale i dha Shqipërisë një shtysë modernizuese

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 09 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama, reagoi sot pas miratimit në Kuvend të projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Kreu i qeverisë e cilësoi votimin si një tjetër shtysë modernizuese për Shqipërinë.

“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese”, shkruan Rama.

Rama shtoi se “dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste”.

Pas një seance maratonë, Kuvendi miratoi me 85 vota pro ndarjen e re territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 bashki, ndërsa 12 qarqet ekzistuese do të mbeten të pandryshuara.

Me miratimin e hartës së re territoriale 15 bashki bashkohen me njësi më të mëdha vendore, me synimin për të përmirësuar administrimin e territorit, menaxhimin e financave dhe ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër