Gjermania në krah të reformave tona: mbështetje e fuqishme për drejtësinë dhe rrugëtimin evropian

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 tetor Zhurnal.mk – Sot, në rezidencën e shkëlqesisë së saj, ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler, pata kënaqësinë të zhvilloj një drekë pune, gjatë së cilës diskutuam për agjendën reformuese evropiane, forcimin e sundimit të ligjit dhe hapat konkretë për avancimin e reformave në drejtësi.

Në këtë kontekst, theksova rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet gjermane dhe Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), i cili që nga v. 2000 është partneri ynë i rëndësishëm në mbështetjen e reformave juridike, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe përafrimin e sistemit tonë të drejtësisë me standardet evropiane.

Shpreha gjithashtu vlerësimin tim për urimin nga shkëlqesia e saj, ministrja federale gjermane e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, Dr. Stefanie Hubig, të cilin e konsideroj një shenjë të rëndësishme të respektit institucional dhe të potencialit për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona në fushën e drejtësisë.

Gjermania është një partner strategjik i vendit tonë dhe një mbështetëse e rëndësishme e rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Evropian. Mbështetja e saj për reformat është e çmuar, por përgjegjësia për t’i zbatuar ato me vendosmëri dhe për të siguruar rezultate konkrete është e jona.

Si Ministër i Drejtësisë, mbetem i përkushtuar ndaj një agjende reformuese që forcon pavarësinë e gjyqësorit, sundimin e ligjit, integritetin institucional dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Integrimi evropian nuk matet vetëm me ligje të miratuara apo me deklarata politike. Ai matet me zbatimin e reformave, funksionimin e institucioneve dhe drejtësinë që qytetarët e përjetojnë çdo ditë.

Me partnerë strategjikë si Gjermania dhe përmes bashkëpunimit konkret me IRZ-në, synimi ynë është i qartë: reforma të qëndrueshme, institucione të forta dhe një sistem drejtësie në përputhje me standardet evropiane.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër