Prishtinë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se në seancën e sotme parlamentare janë trajtuar një sërë çështjesh politike dhe me interes publik, ndërsa është formuar edhe Komisioni Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Përmes një postimi, Haxhiu ka vlerësuar se Kuvendit po i rikthehet gjallëria, duke theksuar se gjatë seancës janë zhvilluar diskutime përmes deklarimeve të grupeve parlamentare dhe shkëmbimit të pyetjeve e përgjigjeve mes deputetëve dhe kabinetit qeveritar.
“Kuvendit po i rikthehet gjallëria. Në seancën e sotme u ngritën dhe u sqaruan një sërë çështjesh politike dhe me interes publik, përmes deklarimeve të grupeve parlamentare dhe shkëmbimit të pyetjeve e përgjigjeve mes deputetëve dhe kabinetit qeveritar”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se Komisioni Ad Hoc është formuar për përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në Bordin e RTK-së, dy për komunitetin shqiptar, një për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.
Haxhiu ka theksuar se si transmetues publik, RTK-ja duhet ta ketë Bordin e kompletuar, ndërsa Kuvendi do të angazhohet që procesi i përzgjedhjes të zhvillohet me kohë dhe në mënyrë transparente.
“Si transmetues publik RTK-ja duhet të ketë një Bord të kompletuar, dhe Kuvendi do të angazhohet që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të zhvillohet me kohë dhe në mënyrë transparente”, ka shkruar ajo.
