I kërkuar nga drejtësia shqiptare, Franca refuzon lirimin e Ermal Beqirit nga burgu

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Paris, 23 tetor Zhurnal.mk – Biznesmeni shqiptar, Ermal Beqiri, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Francë, pasi Gjykata e Apelit në Amiens ka refuzuar kërkesën e tij për lirim.

Beqiri kërkohet nga autoritetet shqiptare në kuadër të një hetimi për tenderat publikë, ndërsa drejtësia franceze po shqyrton kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Sipas gazetës franceze “Le Courrier Picard”, vendimi është marrë këtë të premte, më 23 tetor, pasi biznesmeni u paraqit sërish përpara gjykatës, vetëm tri ditë pas shqyrtimit të mëparshëm të kërkesës për lirimin e tij.

Gjyqtarët vendosën të mos e pranojnë kërkesën, duke bërë që Beqiri të mbetet në qeli deri në vijimin e procedurave gjyqësore për ekstradimin e mundshëm.

Po këtë ditë, Dhoma e Hetimit në Amiens shqyrtoi edhe çështjen në themel të kërkesës për ekstradim të paraqitur nga autoritetet shqiptare.

Ermal Beqiri, pronar i kështjellës në Berneuil-en-Bray, në departamentin francez të Oise, u arrestua në fund të korrikut në Méaulte, pranë Albertit. Arrestimi erdhi pasi biznesmeni kishte fluturuar me avionin e tij mbi centralin bërthamor të Penly, në rajonin e Seine-Maritime.

Ndërkohë, emri i tij është përfshirë në një hetim të drejtësisë shqiptare lidhur me kontratat publike. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij, por vendimi përfundimtar për këtë çështje mbetet në duart e institucioneve gjyqësore franceze.

Procedurat ligjore vijojnë, ndërsa Beqiri do të qëndrojë në paraburgim deri në një vendim të mëtejshëm të autoriteteve përkatëse.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër