Shkup, 25 tetor, Zhurnal.mk – Me rastin e Ditës Evropiane të Drejtësisë, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka theksuar rëndësinë e një sistemi gjyqësor të pavarur, profesional dhe të përgjegjshëm, duke nënvizuar se besimi i qytetarëve në drejtësi fitohet përmes rezultateve konkrete dhe jo vetëm përmes deklaratave e premtimeve.
Në mesazhin e tij me rastin e kësaj dite, Shasivari theksoi se drejtësia është themeli i shtetit të së drejtës dhe garantuese e lirisë dhe dinjitetit të çdo qytetari.
“Si ministër i Drejtësisë dhe profesor universitar, besoj se pa një gjyqësor të pavarur, prokurori profesionale dhe institucione të përgjegjshme, nuk mund të ketë siguri juridike, barazi dhe besim të vërtetë”, deklaroi Shasivari.
Ai nënvizoi se synimi është ndërtimi i një sistemi drejtësie në të cilin ligji qëndron mbi çdo interes, drejtësia nuk varet nga ndikimi i pushtetit dhe çdo qytetar gëzon mbrojtje e trajtim të barabartë para ligjit.
Sipas Shasivarit, vendit i nevojitet një gjyqësor që merr vendime në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, brenda një afati të arsyeshëm, një prokurori që vepron me profesionalizëm dhe pa selektivitet, si dhe institucione që e dëshmojnë përgjegjësinë e tyre përmes rezultateve konkrete.
“Besimi në drejtësi nuk kërkohet, ai fitohet”
Ministri theksoi se suksesi i reformave në drejtësi nuk duhet të matet vetëm me numrin e ligjeve të miratuara, por mbi të gjitha me ndryshimet që qytetarët i ndiejnë në jetën e përditshme.
“Besimi në drejtësi nuk kërkohet, ai fitohet. Jo me deklarata, por me vepra. Jo me premtime, por me rezultate”, u shpreh Shasivari.
Ai shtoi se perspektiva evropiane e vendit kërkon institucione që funksionojnë sipas standardeve evropiane, zbatim të qëndrueshëm të reformave dhe përgjegjësi pa përjashtim.
Në përfundim të mesazhit të tij, Shasivari theksoi se drejtësia dhe përgjegjësia janë detyrime ndaj qytetarëve, ndërsa besimi institucional duhet të fitohet përmes punës dhe rezultateve.
“Drejtësia është obligim. Përgjegjësia është detyrë. Besimi fitohet”, përfundoi ministri Shasivari, duke uruar 25 Tetorin, Ditën Evropiane të Drejtësisë.
